Spiropali reagon për përjashtimin nga PS: Klosit duhet t’i vijë turp, kritika edhe për Ballukun
Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste dhe përjashtimin e saj nga strukturat drejtuese të kësaj force politike, një çështje që vijon të shoqërohet me paqartësi dhe deklarata kontradiktore nga vetë socialistët.
Në qendër të debatit është mënyra se si është marrë vendimi për largimin e saj. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka deklaruar se Spiropali është përjashtuar nga të gjitha forumet, përfshirë edhe grupin parlamentar, deputeti socialist Adi Qose ka dhënë një tjetër version, duke theksuar se bëhet fjalë për një propozim dhe se vendimmarrja përfundimtare mbetet ende në proces.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi vlefshmërinë dhe procedurën e ndjekur për përjashtimin e ish-kryetares së Kuvendit. Deri më tani, nuk ka një qartësi të plotë nëse masa është formalizuar sipas parashikimeve statutore të Partisë Socialiste apo nëse kemi të bëjmë me një vendim politik të komunikuar përpara përfundimit të procedurave.
Në këtë klimë përplasjesh, Spiropali ka drejtuar kritika ndaj Blendi Klosit, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj tij. Në reagimin e saj, ajo ka thumbuar gjithashtu edhe Belinda Ballukun, duke e zgjeruar përplasjen përtej çështjes së përjashtimit nga strukturat e partisë.
Zhvillimet e fundit nxjerrin në pah tensionet brenda Partisë Socialiste, ku çështja e Spiropalit është kthyer në një debat publik mbi mënyrën e funksionimit të strukturave, transparencën e vendimmarrjes dhe raportet mes drejtuesve të mazhorancës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



