Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali: Pushteti ynë nuk mjafton më as për besim, as për legjitimitet



Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka folur në emisionin “Top Story” për zhvillimet në Asamblenë e kësaj partie dhe përjashtimin e saj nga të gjitha forumet.

Spiropali tha se kishte zgjedhur të mos bëhej pjesë e debatit publik dhe interpretimeve për atë që ndodhi në Asamble. Ajo theksoi se fjalimi i saj gjatë mbledhjes nuk lidhej me diskutimet që pasuan në publik.

Duke komentuar çështjen e përjashtimit, Spiropali u shpreh se nuk ishte fjala për një pozicion apo përfitim personal, por për mënyrën se si funksionon Partia Socialiste dhe përfshirjen e anëtarëve në vendimmarrje.

Ajo ngriti pikëpyetje për mungesën e diskutimeve me anëtarësinë dhe të zgjedhjeve në nivelet e partisë, duke kundërshtuar vendimet personale dhe përqendrimin e pushtetit.

“Unë mendoj që Edi Rama erdhi në Partinë Socialiste dhe unë iu bashkova Partisë Socialiste dhe kësaj force si një forcë reformatore për ta ndryshuar Shqipërinë”, tha Spiropali.

Deputetja deklaroi se vijon t’i besojë vizionit të kryeministrit Edi Rama për transformimin e vendit, por shtoi se pushteti nuk garanton më vetvetiu besimin dhe legjitimitetin.

“Sot është e qartë që pushteti i madh dhe pushteti ynë nuk mjafton më as për besim, as për legjitimitet. Unë i kam besuar dhe i besoj Edi Ramës sa i takon vizionit të tij për ta transformuar Shqipërinë dhe për të lënë pas një Shqipëri europiane”, u shpreh ajo.

Spiropali kujtoi gjithashtu angazhimin e saj në Partinë Socialiste që prej kohës kur ishte pjesë e FRESSH-it, duke thënë se kishte bërë beteja për këtë forcë politike edhe kur nuk kishte përfitime nga pushteti.