Çitaku tregon çfarë e dallon një lider të vërtetë nga shefi: Duhet t'u mundësojë të tjerëve të rriten

Një akademi e përqendruar në studimin shkencor të lidershipit, e themeluar nga një shqiptar në Cyrih të Zvicrës, është bërë pjesë e rrugëtimit profesional të Fadil Çitakut, i cili për më shumë se 12 vjet është angazhuar në zhvillimin dhe promovimin e kësaj fushe, shkruan Telegrafi.
Në një intervistë për Telegrafi Diasporë, Çitaku, themelues dhe rektor i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Cyrih (ALSS), ka rrëfyer se si lindi ideja për themelimin e saj, çfarë e dallon këtë institucion nga të tjerët dhe pse, sipas tij, lidershipi duhet të mbështetet në kërkime shkencore dhe në zbatimin praktik të njohurive.
Duke folur për lidershipin e vërtetë dhe dallimin mes liderit dhe shefit, Çitaku thotë se lidershipi modern, duke u bazuar në shkencë, dëshmohet përmes aftësisë për t'i ndihmuar të tjerët të rriten.
Sipas tij, një lider i mundëson të tjerëve të zhvillohen në karrierë, në aspektin profesional dhe në çdo fushë tjetër.
Ai thekson se teoritë e neurolidershipit, modelet "Çitaku" dhe modeli i Lidershipit Drenica, të cilat i ka përmendur gjatë intervistës, tregojnë rëndësinë e kujdesit të liderit ndaj njerëzve që udhëheq.
"Për me ra shkurtër dhe më thjeshtë, liderët më kompetentë që ne i kemi takuar në jetën tonë janë nënat tona. Një nënë, ajo kurrë nuk do të hajë bukë ose nuk do të pijë ujë pa i dhënë foshnjës", shprehet Çitaku.
Duke përdorur këtë shembull, ai u bën apel liderëve që të marrin si model përkushtimin dhe kujdesin e nënave, duke theksuar se organizatat kanë nevojë për udhëheqës që kujdesen për punëtorët e tyre.
"Na duhen liderë të tillë që të kujdesen për punëtorët e tyre", thekson Çitaku në intervistën për Telegrafi Diasporë./Telegrafi/


































