12 kilogramë kanabis në trajtë xhelatine, të destinuara për shitje në Shqipëri, janë sekuestruar nga Policia e Tiranës. Në kuadër të operacionit, një 22-vjeçar është arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Aksioni policor u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për transportimin e lëndës narkotike nga dy të rinj, banues në Paskuqan. Policia i është vënë në ndjekje automjetit ku dyshohej se transportohej droga. Kur kanë konstatuar se po ndiqeshin, të rinjtë kanë vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të autostradës Tiranë-Elbasan, ku kanë braktisur automjetin dhe janë larguar. Gjatë operacionit u bë e mundur arrestimi i Mariglen Vatës, 22 vjeç, i cili dyshohet se kontrollonte itinerarin e lëvizjes së automjetit që transportonte drogën. Ndërsa drejtuesi i mjetit dhe poseduesi i dyshuar i lëndës narkotike, Flavio Ismailaj, është shpallur në kërkim.