
Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka folur në emisionin “Top Story” për raportin e saj me kryeministrin Edi Rama, zhvillimet brenda PS-së dhe arsyet që e kanë shtyrë të reagojë publikisht.
Spiropali deklaroi se vijon t’i besojë vizionit të Ramës për transformimin e Shqipërisë, por theksoi se vendi dhe Partia Socialiste kanë nevojë për ndryshime të thella. Ajo u ndal edhe te protestat dhe pakënaqësitë në shoqëri, duke e cilësuar personalizimin e pushtetit si një nga problemet madhore të politikës shqiptare.
“Ka bërë shumë për transformimin e Shqipërisë, por a mjafton kjo? […] Nëse ka një problem madhor sot, që reflektohet edhe në protesta, është personalizimi i pushtetit. Nuk mjafton më një njeri në krye. Duhet reformim i thellë në PS”, u shpreh ajo.
E pyetur për deklaratat e mëparshme, në të cilat e kishte cilësuar Ramën si Skënderbe, dhe për kontributin e saj në situatën aktuale të PS-së, Spiropali tha se partia duhet të ngrihet në nivelin e aspiratave të të rinjve. Ajo i cilësoi diskutimet për epitetet politike si një fabul mediatike dhe theksoi se nuk pendohet për angazhimin e saj në këtë forcë politike.
“Ne nuk kemi nevojë për heronj, por për njerëz. Nëse duhet të mbaj edhe unë atë që ju e quani peshën e fajit në raport me këtë, nuk pendohem, sepse nuk jam nga ata që e zerojnë kontributin që Shqipëria ka pasur. Nuk jam ajo që e mohon”, tha Spiropali.
Gjatë intervistës, ajo foli edhe për momentin kur nisën përplasjet me drejtimin e Partisë Socialiste dhe nëse ato lidhen me largimin nga posti i ministres së Jashtme. Spiropali sqaroi se reagimet e saj kishin nisur përpara protestave dhe se kundërshtimi nuk kishte të bënte me humbjen e postit, por me mënyrën se si ishte larguar nga detyra.
“Nuk kam folur për shkak të protestave, e kam nisur pak më herët. Po të them sot, me të gjithë përgjegjësinë, që nuk ka asnjë lidhje ministër, jo ministër, karrigia, jo karrigia, me atë që unë besoj. Edhe lëvizja nga Ministria e Jashtme besoj se duhet të jetë pjesë e llogaridhënies. […] Unë kam reaguar pas largimit nga ministria jo për arsyen se unë duhet patjetër të isha ministre, por për shkak të mënyrës së largimit. Ka këtu elemente të dinjitetit njerëzor”, deklaroi ajo.