Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali për Ballukun: Është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike



Elisa Spiropali ka folur në emisionin “Top Story” për arsyet që, sipas saj, çuan në largimin nga posti i ministres së Jashtme dhe nisjen e përplasjeve me kryeministrin Edi Rama.

Ajo u ndal te qëndrimi i saj për çështjen e Belinda Ballukut, duke pranuar se mosvotimi për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres ishte një akt politik. Spiropali theksoi se ky qëndrim nuk lidhej me mbrojtjen personale të Ballukut, por me kundërshtimin e modelit të qeverisjes që, sipas saj, ajo përfaqëson.

Deputetja e PS-së e cilësoi Ballukun si modelin më të keq të qeverisjes brenda forcës politike, ndërsa tha se ndien keqardhje për të në aspektin njerëzor.

“Për Belinda Ballukun kam bërë një akt politik, mosvotimi për heqjen e imunitetit. Jo se dua të shoh një grua në pozita të tilla, por për shkak të moslegjitimitetit të modelit. Këtu fillon dhe mbaron problemi.

Njerëz që, siç ka dalë më pas, kanë qenë duke shpërndarë favore politike me emra, a ka vlerë emrat? Jo, vlerë ka modeli. Unë besoj se Belinda Balluku, që më del emri gjithkund me përballjen me vetveten dhe pse nuk e kam përmendur, është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike dhe viktima më e freskët e një modeli që duhet të ndryshojë”, u shpreh Spiropali.

Ajo shtoi se ndien keqardhje për Ballukun edhe për shkak të familjes së saj, duke përfunduar: “Kam keqardhje edhe për të, për faktin që është grua, për fëmijët, madje edhe për shpirtin e saj, lutem”.