Gjykata turke ia ndalon kryetarit të burgosur të Stambollit të marrë pjesë në garën presidenciale të vitit 2028

Një gjykatë turke vendosi të enjten se diploma universitare e kryetarit të burgosur të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, është e pavlefshme, duke e penguar atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, sipas raportimeve të mediave.
Imamoglu, i cili konsiderohet si një nga kundërshtarët më të fortë të opozitës ndaj Presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua në mars të vitit 2025 nën akuza për korrupsion, të cilat partia e tij i cilëson si të motivuara politikisht.
Ligji turk kërkon që kandidatët për president të zotërojnë një diplomë universitare të vlefshme.
Vendimi i Këshillit Shtetëror për të hedhur poshtë ankesën e tij lidhur me diplomën, përbën pengesën e fundit ligjore për Imamoglun, anëtar i Partisë Popullore Republikane (CHP) në opozitë.
Ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Stambollit në vitin 2019, duke mundur kandidatin e preferuar të Erdoganit.
Më vonë, CHP-ja e propozoi Imamoglun si kandidatin e saj për president.
Arrestimi i tij më 19 mars 2025, nën akuza të shumta për korrupsion, nxiti protesta të gjera.
Kritikët e panë këtë veprim si një përpjekje për të eliminuar një nga rivalët kryesorë politikë të Erdoganit.
Një ditë para arrestimit, Universiteti i Stambollit e anuloi diplomën e Imamoglut, me pretendimin se ajo ishte marrë në mënyrë të paligjshme (përmes mashtrimit).
Disa orë më vonë, policia kreu një kontroll në banesën e tij dhe e ndaloi atë. Ai u burgos pikërisht në ditën kur CHP-ja e shpalli zyrtarisht si kandidatin e saj për president. /Telegrafi/

































