E enjte, 19 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Spiropali kërkon reformim të thellë të PS-së: Rama ka personalizuar ekstremisht pushtetin
Lajme

Spiropali kërkon reformim të thellë të PS-së: Rama ka personalizuar ekstremisht pushtetin

Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka kërkuar një reformim të thellë të Partisë Socialiste, duke kritikuar mënyrën se si ushtrohet dhe përqendrohet pushteti në duart e kryeministrit Edi Rama. Në një dalje televizive, pas përjashtimit nga forumet drejtuese të PS-së, Spiropali është shprehur se partia ndodhet në një udhëkryq politik dhe se modeli aktual i drejtimit nuk garanton më besim dhe legjitimitet.

Ajo theksoi se pushteti i madh nuk mjafton për të siguruar mbështetjen e qytetarëve, ndërsa ngriti shqetësimin për personalizimin ekstrem të vendimmarrjes dhe dobësimin e demokracisë së brendshme në parti.

Spiropali u shpreh se i ka besuar dhe vijon t’i besojë vizionit të Ramës për transformimin e Shqipërisë, duke kujtuar se ka qenë pjesë e betejave politike të socialistëve që prej angazhimit të saj në FRESSH. Megjithatë, sipas saj, arritjet e deritanishme nuk mund të shërbejnë si justifikim për mënyrën se si funksionon sot pushteti.

Deputetja kritikoi gjithashtu mungesën e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e organizimit të PS-së, duke argumentuar se forumet e partisë duhet të rikthehen në hapësira debati dhe vendimmarrjeje, dhe jo të shërbejnë thjesht për të miratuar vendime të marra nga drejtuesit.

Ajo vuri në dukje se është paradoksale që, në një moment kur qytetarët po protestojnë dhe kërkojnë përgjigje nga qeveria, diskutimi brenda Partisë Socialiste të përqendrohet te përjashtimet dhe masat ndaj zërave kritikë.

Sipas Spiropalit, PS-ja ka nevojë për konkurrencë, zgjedhje të brendshme dhe një model drejtimi që nuk mbështetet te besnikëria personale, por te merita dhe përgjegjësia politike. Ajo kërkoi që partia të shohë përpara dhe të vendosë nëse do të vazhdojë me një pushtet të përqendruar te një individ apo do të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme për demokratizimin e saj.

Në këtë kontekst, qëndrimi i Spiropalit shënon një tjetër përplasje të hapur me kryeministrin Rama, në një kohë kur marrëdhëniet mes tyre janë tensionuar ndjeshëm dhe ajo është lënë jashtë strukturave drejtuese të Partisë Socialiste.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.