
Top Channel ka festuar 25-vjetorin e themelimit me një mbrëmje ku u mblodhën profesionistë nga të gjitha platformat e grupit mediatik, përfshirë Top Channel, Top News, radiot, DigitAlb dhe platformat dixhitale.
Në këtë përvjetor, grupi kujtoi historinë e tij, punën e qindra profesionistëve dhe zhvillimin ndër vite, ndërsa drejtuesja Lori Hoxha foli për vizionin dhe planet për të ardhmen.
Në fjalën e saj, Hoxha u ndal te vendimi për të vijuar investimet në një periudhë sfiduese për median, duke theksuar se kompania synon të zgjerohet dhe të krijojë përmbajtje të reja.
“Ja ku jemi. 25 vjet më vonë. Dhe, për ndonjë arsye që vazhdon t’i habisë disa, ne nuk po bëhemi më të vegjël. Po bëhemi më të mëdhenj. Në një kohë kur shumë njerëz kanë humbur besimin tek e ardhmja, ne vazhdojmë të investojmë në të. Kur mediat tërhiqen, ne po hedhim hapin tjetër”, u shpreh ajo.
Hoxha foli edhe për vlerat që, sipas saj, qëndrojnë në themel të grupit mediatik, duke përmendur besimin, ndërgjegjen, lirinë për të ushtruar profesionin dhe ruajtjen e emrit të kompanisë.
“Ne kemi ende gjëra që nuk pranojmë t’u vendosim çmim. Besimin. Ndërgjegjen. Lirinë për të bërë punën tonë. Emrin që mbajmë dhe atë duam të mbrojmë. Dhe nuk kemi nevojë që të gjithë ta kuptojnë menjëherë. Koha do ta tregojë”, tha drejtuesja e Top Channel.
Një pjesë të fjalimit ia kushtoi edhe punonjësve, të cilët i cilësoi si pjesë të rëndësishme të historisë dhe zhvillimit të kompanisë. Ajo theksoi se vlerëson mendimin e pavarur dhe guximin për të kundërshtuar, edhe kur ka mosmarrëveshje.
Në përfundim, Hoxha iu referua shprehjes “Kush e ka Topin?”, duke thënë se, megjithëse e ka vetë drejtimin e kompanisë, çdo ditë ua beson profesionistëve që punojnë në studiot, redaksitë dhe programet e saj.
“Por çdo ditë, në çdo studio, në çdo redaksi, në çdo program, unë jua pasoj juve. Jo sepse nuk di çfarë të bëj me të. Por sepse e di shumë mirë çfarë mund të bëjmë bashkë”, përfundoi ajo.