Pas disa orësh debat dhe dy ndërprerjeve të energjisë elektrike, projektligji mori 61 vota për, ndërsa tetë deputetë votuan kundër.

Projektbuxheti i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti kap vlerën e 4.27 miliardë eurove, rreth 200 milionë euro më shumë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i këtij viti.

Gjatë prezantimit para deputetëve, Kurti ka thënë se 60 për qind e të hyrave buxhetore sigurohen nga Administrata Tatimore e Kosovës, ndërsa 40 për qind nga Dogana.

Sipas tij, për komunat janë paraparë 908 milionë euro financime, ndërsa investimet kapitale për herë të parë do ta kalojnë vlerën prej një miliard eurosh.

Në projektbuxhet janë përfshirë edhe paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik, e cila pritet të ekzekutohet më 1 janar 2027, si dhe rritja e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku i vitit të ardhshëm.

Kurti ka paralajmëruar gjithashtu rritje të shtesave për fëmijë në katër faza, me nga 25 për qind, si dhe rritje të mbështetjes financiare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënuar në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ndër projektet kapitale të përmendura janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë, Autostrada e Dukagjinit, ndërtimi i digave të reja dhe infrastruktura për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Po ashtu, projektbuxheti parasheh themelimin e një kompanie kombëtare ajrore dhe investime të tjera në sektorin e turizmit.

Pas miratimit në lexim të parë, Projektligji për ndarjet buxhetore pritet të kalojë në procedurat e mëtejshme parlamentare.