Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali: Pretendimet e Veliajt për kërcënime duhen verifikuar



Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka komentuar situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, duke kërkuar verifikimin e pretendimeve të tij se është kërcënuar.

Gjatë intervistës në emisionin “Top Story”, Spiropali u shpreh se rasti i Veliajt duhet të analizohet edhe brenda Partisë Socialiste. Ajo ngriti pikëpyetje për kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mungesën e diskutimeve në parti lidhur me pretendimet e kryebashkiakut.

Spiropali theksoi se nuk merr përsipër të gjykojë vërtetësinë e deklarimeve të Veliajt, por kërkoi që ato të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.

“Është e pamundur që një njeri që është sot në paraburgim për gati dy vite, në një paraburgim kaq të gjatë, të mos ketë një analizë se si ka mundësi që ky paraburgim zgjat përtej çdo lloj shteti. […] Por, mbi të gjitha, se si ka mundësi që në forcën tonë politike sot të mos diskutohet me solidaritet për një rast të tillë, sa u takon pretendimeve që ai mund të ketë për negociata”, tha Spiropali.

Ajo iu referua edhe kërkesës së dy kryetarëve të komisioneve parlamentare të PS-së për verifikimin e pretendimeve nga ministri i Brendshëm.

“Ai ka pretendime si një njeri i paraburgosur, i cili pretendon se instruksionet e shtetit në këtë rast janë përdorur edhe për ta kërcënuar. Unë nuk marr përsipër të them si e qysh e tek, por marr përsipër të them që verifikime të tilla duhen parë, sepse qoftë edhe për kërcënime”, u shpreh deputetja.