Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

SecuriMeter 2026: Perceptimi mbi korrupsionin rritet në Shqipëri, bie në Rajon

Share Share Icon

Në Shqipëri shqetësimet për korrupsionin janë rritur se tepërmi gjatë këtij viti, teksa në vendet e Ballkanit Perëndimor po shënojnë rënie.

Sipas anketës SecuriMeter 2026 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Shqipëri, 92,1% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin mjaft ose shumë të përhapur, nga 86,6% një vit më parë. Mesatarja e gjashtë vendeve të rajonit ra nga 81% në vitin 2025 në 76,5% në vitin 2026, duke e zgjeruar diferencën me Shqipërinë me rajonin në 15,6 pikë përqindjeje.

Në vitin 2026, 36% e të pyeturve në Shqipëri e cilësuan korrupsionin “shumë të përhapur”, nga 28% në vitin 2025. Ndërkohë, përqindja e atyre që e quajnë “mjaft të përhapur” ra lehtë, nga 58% në 56%.

U ngushtua edhe grupi që e sheh korrupsionin si dukuri të rrallë. Në vitin 2025, rreth 13% e të anketuarve në Shqipëri e konsideronin mjaft ose shumë të rrallë. Në anketën e fundit, kjo përqindje zbriti në 6,7%. Në rajon, 16,8% e të anketuarve e cilësuan korrupsionin mjaft ose shumë të rrallë, rreth dy herë e gjysmë më shumë se në Shqipëri.

Në vitin 2023, 86,8% e të anketuarve në Shqipëri e konsideronin korrupsionin mjaft ose shumë të përhapur, vetëm 1,4 pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale. Një vit më pas, treguesi në Shqipëri u ngjit në 91,2%, për të zbritur në 86,6% në 2025. Rritja e fundit e çoi në nivelin më të lartë të periudhës 2023–2026.

Në të njëjtën periudhë, mesatarja rajonale ka rënë çdo vit, nga 85,4% në vitin 2023 në 82,8% në vitin 2024, dhe 76,5% në 2026. Edhe te përgjigjja “shumë i përhapur”, diferenca mes Shqipërisë dhe rajonit është ngushtuar ndjeshëm. Në vitin 2025, këtë përgjigje e dhanë 28% në Shqipëri dhe 40% në rajon.

Sipas SecuriMeter 2026, 61% e të anketuarve në Shqipëri thanë se ata ose një anëtar i familjes kishin bërë një pagesë shtesë, kishin dhënë një dhuratë me vlerë ose kishin bërë një donacion në sistemin shëndetësor gjatë tre viteve të fundit, kundrejt 27,4% në rajon. Po ashtu, 63% e të pyeturve në Shqipëri mendojnë se institucionet publike nuk i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë, kundrejt 51,6% në rajon.

Rreziku i favorizimit lidhet edhe me mënyrën si jepen kontratat publike dhe si zgjidhen çështjet e pronësisë. Sipas Komisionit Europian, gati një në katër tenderë në Shqipëri në vitin 2025 u dha me një ofertues të vetëm, çka kufizon mundësinë për të krahasuar çmimet dhe kushtet. Në Kadastër, pasiguria mbi titujt e pronësisë dhe vonesat në legalizime i lënë qytetarët dhe bizneset në pritje të vendimeve administrative, duke krijuar hapësirë për ndërmjetësim informal dhe trajtim preferencial./B.Hoxha

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Tatimet kujtojnë biznesin, edhe 11 ditë nga falja tatimore

Tatimpaguesit që kanë në ankim administrativ ose në gjykatë një detyrim tatimor kanë afat deri më 30 nëntor 2026 për të dorëzuar aktin e heqjes dor...

13 hours më parë 2 Min Lexim

Shqiptarët më të shqetësuarit për kostot e jetesës në rajon në vitin 2026

Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të të anketuarve që shprehen të shqetësuar për koston e jetesës dhe inflacionin. Sipas ...

14 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!