AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Si po e përdor krimi i organizuar teknologjinë për t’u mbrojtur nga Policia

Nga bllokuesit e valëve te detektorët e përgjuesve, grupet kriminale në Shqipëri po ndërtojnë sisteme të avancuara mbrojtjeje ndaj Policisë dhe rivalëve, ndërkohë që kontrolli institucional mbi tregtimin dhe përdorimin e pajisjeve të ndaluara teknologjike mbetet i dobët.

Klodiana LalangaKlodiana Lala
7 seconds më parë
në Analiza, Artikull kryesor, Artikull kryesor Analiza
Koha e leximit: 5 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

Mesditën e nxehtë të 26 gushtit, Ergys Agasi u zhduk për gati pesë orë nga vëzhgimi policor.

Pas disa muajsh në arrati, i akuzuari nga SPAK si drejtues i një grupi kriminal në manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, u diktua nga policia teksa po zbriste nga kati i dytë i një kompleksi të fortifikuar në Shkozet të Durrësit, i veshur me rroba sportive.

Agasi hipi në sediljen e pasme të një makine Audi A6 me xhama të zinj dhe policia e ndoqi atë përmes një droni nga ajri dhe agjentëve në distancë për gati një orë e gjysmë derisa mbërriti në afërsi të tregut Agro-Ushqimor në periferi të Elbasanit – një tjetër godinë e fortifikuar në pronësinë e babait të Suel Çelës, i kërkuar gjithashtu nga Prokuroria e Posaçme për përfshirje në krim të organizuar.

Por në këtë pikë, drejtuesit e operacionit urdhëruan papritur ndërprerjen e vëzhgimit.

Për drejtësinë shqiptare është ende e paqartë arsyeja e ndërprerjes së vëzhgimit dhe se me kë i kaloi Agasi orët e fundit të arratisë, përpara se të arrestohej mbrëmjen e së njëjtës ditë në rrugën e kthimit pranë zonës së Plepave në Durrës.

Megjithatë, burime në dijeni të operacionit i thanë BIRN se ndërprerja u bë për shkaqe teknike.

Agjentët e policisë në terren kishin hasur vështirësi në ngritjen e dronit, sipas burimit, ndërsa dyshohet se zona përreth tregut Agro-Ushqimor mund të ishte pajisur me bllokues valësh. I njëjti problem ishte hasur më parë edhe pranë kompleksit në Shkozet ku strehohej Agasi.

Bllokuesit e valëve, të njohura si Jammers nga emërtimi i tyre anglisht, janë pajisje elektronike që ndërpresin komunikimet wireless përmes ndërhyrjeve në sinjalet e telefonisë celulare, rrjetet Wi-FI, sinjalet GPS apo dronët.

Edhe pse përdorimi i pajisjeve të tilla është tërësisht i ndaluar pa autorizim shtetëror në Shqipëri, krimi i organizuar po i integron ato në arsenalin e vet të mjeteve të avancuara digjitale, të cilat i shërbejnë për të fshehur gjurmët apo për të koordinuar aktivitetet e veta ndërkombëtare.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se krimi i organizuar shqiptar ka evoluar nga metodat e dikurshme konvencionale dhe po përdor sot mjete të avancuara teknologjike për t’iu shmangur organeve ligjzbatuese.

“Sot grupet kriminale kanë ndërtuar sisteme të inteligjencës mbrojtëse, me qëllim parandalimin e goditjeve nga Policia e Shtetit dhe neutralizimin e sulmeve nga grupet rivale,” tha për BIRN Gledis Nano, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

“Avantazhi në këto raste është se grupet kanë buxhet dhe mund t’i sigurojnë këto pajisje në tregun e zi,” theksoi ai.

Teknologjia si armë

Sipas vlerësimeve të fundit të Europol-it, krimi i organizuar ndërkombëtar po përdor pajisje dhe teknologji të avancuara për të fshehur gjurmët, për të koordinuar aktivitetet ndërkombëtare si dhe për të mundësuar pastrimin e parave. Sipas një raporti të vitit 2026, integrimi i mjeteve digjitale e ka bërë veprimtarinë kriminale ndërkombëtare më të shpejtë dhe më të vështirë për t’u gjurmuar.

Krimi i organizuar shqiptar po ndjek gjithashtu të njëjtin trend.

Në mesin e viteve 2010, platformat e enkriptuara të komunikimit si Sky ECC apo EncroChat fituan popullaritet mes grupeve kriminale ndërkombëtare përpara se forcat e rendit të depërtonin në to dhe t’i mbyllnin në vitin 2021.

Befas u zbulua se gjuha shqipe ishte një ndër gjurmët më të përdorura në platformën Sky ECC. Gjithsesi, teknologjia është një thikë me dy presa dhe bllokimi i serverave të këtyre platformave e ndihmoi Prokurorinë e Posaçme në goditjen e disa prej grupeve më të mëdha të krimit të organizuar me shtrirje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Bashkimit Europian dhe në Amerikën Latine.

Paralelisht me përdorimin masiv të platformave të enkriptuara si Sky ECC apo EncroChat, grupet kriminale përdorën gjithashtu qindra kamera pirate me rezolucion të lartë në hapësirat publike për të kontrolluar territorin dhe mbajtur nën vëzhgim kundërshtarët.

“Pushtimi” i hapësirave publike nga kamerat e paligjshme të grupeve kriminale ka filluar të paktën që prej vitit 2020, por policia i identifikoi ato në janar 2023 pas një atentati me tritol ndaj një oficeri policie në Shkodër. Ndërsa po hetonin lëvizjet e të dyshuarve, oficerët e policisë gjyqësore kuptuan se nuk mund të kishin akses tek kamerat e vendosura në sheshin “5 Heronjtë”.

Ky zbulim nxiti një operacion kombëtar të Policisë së Shtetit, të njohur si “Fijet”, i cili mundësoi heqjen e mbi 500 kamerave nga shtyllat e energjisë apo akset rrugore si dhe procedimin e 101 personave për veprën penale të “ndërhyrjes së padrejtë në jetën private” – por askush nuk u ndëshkua.

Sistemet pirate të kamerave të sigurisë u shërbejnë anëtarëve të krimit të organizuar për disa qëllime; monitorimin në kohë reale të lëvizjeve të policisë, identifikimin e personave apo automjeteve të grupeve rivale si dhe krijimin e një klime presioni mbi komunitetin lokal.

Mjete të tjera teknologjike më pak të dukshme po u shërbejnë gjithashtu grupeve kriminale; të tilla si pajisjet detektuese të frekuencave apo radiot e kanaleve të policisë.

Sipas ish-drejtorit të Policisë, Gledis Nano, pajisjet detektuese mundësojnë identifikimin dhe çaktivizimin e mikrofonëve, kamerave të fshehta apo lokalizuesve GPS, ndërkohë që radiot e ndërlidhjes u japin atyre informacion mbi lëvizjet e policisë vendore.

Eksperti i sigurisë, Xhavit Shala e konsideron teknologjinë një avantazh të madh për grupet kriminale dhe aftësia për ta përdorur atë dikton sipas tij suksesin e këtyre grupeve.

“Nëse Prokuroria duhet të bëjë një tender për të blerë qoftë një celular, tenderi mund të anulohet, grupet kriminale blejnë direkt telefonë kundër përgjimit, pajisje përgjuese apo pajisje detektuese dhe i vënë ato menjëherë në përdorim, pa patur pengesa,” tha Shala.

“Organizatat klasifikohen nga aftësia për të përdorur teknologjinë dhe këto organizata paraqesin rrezikshmëri më të lartë për shtetin…,” shtoi ai.

Ndërhyrje ligjore

Ndonëse janë të ndaluara për përdorim civil në Shqipëri, pajisjet Jammer apo detektuesit e valëve reklamohen hapur për shitje në faqe Instagrami apo në bizneset e tregtisë së pajisjeve elektronike, me çmime relativisht ekonomike.

Pajisje më të sofistikuara vlerësohet se hyjnë përmes kanaleve të kontrabandës në Shqipëri apo deklarimeve të rreme në pikat e kalimit kufitar, duke u kamufluar si pajisje digjitale konvencionale.

Pavarësisht paligjshmërisë apo rolit të tyre në operacionet e krimit të organizuar, pajisje të tilla rrallëherë tërheqin vëmendjen e forcave të zbatimit të ligjit. Rastet e raportuara për kapjen apo bllokimin e tyre nga ana e Policisë së Shtetit janë të rralla dhe rastësore.

Nano i tha BIRN se rrethana të tilla ekspozojnë njëherazi vulnerabilitete në kontrollin e zinxhirit të furnizimit dhe importit si dhe fuqinë e grupeve kriminale. Në anën tjetër qëndrojnë institucionet e sigurisë, të cilat kanë sipas tij nevojë që të ndërgjegjësohen dhe të trajnohen për t’i njohur dhe bllokuar pajisje të tilla, të cilat fuqizojnë edhe më tej grupet kriminale.

Sipas Nanos, nevojiten protokolle të reja të kontrollit policor dhe doganor për identifikimin e pajisjeve me radiofrekuenca, ashpërsim i kuadrit ligjor për importin, shitjen dhe posedimin e këtyre pajisjeve si dhe operacione të vazhdueshme për identifikimin dhe sekuestrimin e kamerave të paligjshme nga hapësirat publike.

Një tjetër element në këtë betejë është edhe modernizimi i institucioneve të sigurisë përmes investimit në teknologji komplekse si dhe rritjen e aftësisë kibernetike për të përballuar pajisjet bllokuese dhe skanuese gjatë ndjekjeve penale.

Edhe Xhavit Shala përmend faktin e futjes së këtyre pajisjeve kontrabandë ose përmes korruptimit të doganierëve, ndërsa thekson nevojën e ndryshimeve ligjore për t’u përballur me këtë fenomen.

“Nevojiten ndryshime ligjore që t’u përshtaten ndryshimeve teknologjike,” tha Shala për BIRN, ndërkohë që shtoi se kontrollit duhet t’i nënshtrohen edhe personat që i shesin këto pajisje.

 

Etiketa: EncroChatGledis NanoJammersKrimi i organizuarPolicia e ShtetitProkuroria e PosaçmeSky ECCTeknologjia digjitaleXhavit Shala
Sky ECC: ‘Arma’ e SPAK kundër krimit të organizuar sfidohet në Kushtetuese

Si po e përdor krimi i organizuar teknologjinë për t’u mbrojtur nga Policia

06:45 | 20/11/2026
images

Kapja e medias: Si e ndërtoi Turqia modelin e një shteti autoritar

15:21 | 19/11/2026
klp bosh

Prokurorja Sonila Qerolla merr vërejtje publike nga KLP

14:55 | 19/11/2026
dig portuar

Sulmet në Detin e Zi kërcënojnë tregtinë ukrainase të drithërave e pengojnë eksportet e rajonit

14:55 | 19/11/2026
Ndotja e Gjanicës, policia procedon drejtuesit e kompanive Albpetrol dhe Terra Oil

Prokuroria e Fierit çon në gjyq kompaninë Al Global Oil për ndotjen e Gjanicës

14:23 | 19/11/2026
Si përfundon Trumpizmi

Politikat e Trump në Ballkan nën më shumë vëzhgim, por pa ndryshim kursi

11:33 | 19/11/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.