Problemet në sistemet teknologjike amerikane, Trump largon nga detyra drejtorin e sigurisë kibernetike

20 Nëntor 2026 | 07:53

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka larguar nga detyra drejtorin kombëtar të sigurisë kibernetike, Sean Cairncross. Vendimi vjen në një kohë kur SHBA-ja po përballet me një sërë problemesh teknologjike që ditët e fundit kanë prekur shërbime dhe sisteme të rëndësishme, përfshirë trafikun ajror, bankat dhe rrjetin e brendshëm të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA).

Në vend të tij pritet të marrë përkohësisht detyrën Kirsten A. Davies, e cila aktualisht shërben si drejtuese e informacionit në Departamentin e Luftës të SHBA-së. Ndryshimi është pjesë e një riorganizimi të ekipit të sigurisë kibernetike të administratës amerikane.

Sipas një burimi pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump e mbështeti vendimin për shkarkimin e Cairncross, pasi ai nuk kishte përvojën dhe kualifikimet e specializuara të nevojshme për të përmbushur kërkesat e pozicionit. Megjithatë, rrethanat e largimit nuk janë bërë plotësisht të qarta.

Agjencia Axios raportoi se largimi ishte përshkruar si miqësor dhe se Cairncross nuk dëshironte të qëndronte edhe dy vite të tjera në këtë detyrë. Sipas burimeve të saj, largimi në këtë moment do t’i jepte administratës kohë për të siguruar konfirmimin e një pasardhësi nga Senati, përpara se demokratët të marrin kontrollin e tij në janar.

Cairncross drejtonte Zyrën e Drejtorit Kombëtar të Kibernetikës, institucioni që koordinon politikat dhe strategjinë e sigurisë kibernetike në të gjithë qeverinë federale. Përgjegjësitë e tij përfshinin mbrojtjen e infrastrukturës kritike dixhitale dhe bashkërendimin e agjencive qeveritare për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike.

Gjatë detyrës, ai ishte përfshirë gjithashtu në diskutimet dhe vendimmarrjen e administratës për sigurinë e inteligjencës artificiale dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Cairncross mori detyrën në gusht të vitit 2025, pasi u konfirmua nga Senati.

Largimi i tij ndodh pas një serie ndërprerjesh teknologjike në SHBA gjatë ditëve të fundit. Problemet kanë prekur shërbimet e Microsoft, sistemet e kontrollit të trafikut ajror, disa institucione financiare dhe rrjetin e brendshëm të NSA-së. Ndërprerjet kanë shkaktuar vonesa në udhëtimet ajrore dhe vështirësi në funksionimin e shërbimeve të ndryshme.

Megjithatë, autoritetet amerikane kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë gjetur prova që incidentet të jenë të lidhura me njëri-tjetrin apo të jenë rezultat i një sulmi kibernetik të koordinuar. Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, tha para ligjvënësve se hetimet nuk kishin evidentuar shenja të një veprimtarie të përbashkët keqdashëse.

Kirsten A. Davies do ta ushtrojë detyrën në mënyrë të përkohshme, ndërsa emërimi i një drejtuesi të përhershëm kërkon miratimin e Senatit amerikan. Përzgjedhja e pasardhësit pritet të zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për administratën Trump, e cila duhet të përballet njëkohësisht me sfidat e sigurisë dixhitale dhe me shqetësimet e ngritura nga ndërprerjet e fundit teknologjike.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Në një moment tensionesh me Trump, Macron pret Kamala Harris në Paris

Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të takohet këtë të premte në Paris me ish-zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris. Takimi zhvillohet në një kohë...
07:35 | 20/11/2026

A mund ta rivendosë Magyar sundimin e ligjit në Hungari dhe të rifitojë besimin e BE-së?

Hungaria është nën një udhëheqje të re dhe reformat janë duke u zhvilluar. Por, a mund ta rivendosë Peter Magyar sundimin e ligjit dhe të...
05:26 | 20/11/2026

Gara e Azisë Qendrore për inteligjencën artificiale: ambicie të mëdha, rreziqe edhe më të mëdha

Qeveritë e vendeve të Azisë Qendrore po nxitojnë t’i bashkohen garës globale për inteligjencën artificiale (AI). Dhe po e bëjnë këtë me projekte miliardëshe. Nvidia...
04:28 | 20/11/2026