Një rast në Britani zbuloi abuzimin seksual të organizuar ndaj një gruaje gjatë 13 vjetëve, ndërsa katër burra u shpallën fajtorë për sulme ndaj saj. Verdikti u dha të martën në Gjykatën e Kurorës në Winchester, sipas raportimit të Daily Mail. Philip Young, 50 vjeç, ish-këshilltar konservator i Swindon-it, kishte pranuar më parë fajësinë për 56 akuza, përfshirë përdhunim dhe drogim, të kryera ndaj gruas së tij, Joanne Young, në shtëpinë e tyre në Swindon, Wiltshire.
Prokuroria tha se Young e drogonte gruan dhe më pas ftonte burra përmes faqeve dhe aplikacioneve si Craigslist, Grindr dhe Fab Swingers, që ta abuzonin pa dijeninë e saj. Hetuesit gjetën 480 foto dhe video intime të gruas në rreth 200 raste dhe konstatuan se imazhe ishin postuar online në të paktën 500 raste. Hetimi nisi pasi policia u alarmua në 2023, pasi ai kishte ngarkuar imazhe pornografike ekstreme në internet.
Juria shpalli fajtorë: Norman Mackson, 48 vjeç, për përdhunim; Richard Wilkins, 62 vjeç, për përdhunim dhe sulm seksual; Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç, për sulm seksual; dhe Mohammed Hassan, 38 vjeç, për sulm seksual. Dean Hamilton, 47 vjeç, kishte pranuar më parë fajësinë për përdhunim dhe sulme seksuale.
Prokurori i CPS, James Foster, tha se ishte hera e parë në MB që një juri dënonte ose i kërkohej të shqyrtonte një rast të abuzimit seksual të organizuar dhe të lehtësuar nga droga, i organizuar nga bashkëshorti. Joanne Young hoqi dorë nga e drejta për anonimitet; doli nga gjykata duke fshirë lotët dhe duke buzëqeshur me policët. Para gjykatës ajo deklaroi se abuzimi i kishte shkatërruar jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të saj, se tradhtia erdhi nga njeriu që i besonte më shumë, dhe se tjerët qenë të ftuar dhe zgjodhën të merrnin pjesë. Ajo i bëri thirrje qeverisë të rishikojë ligjin për pëlqimin.
Gjykatësi, Mr Justice Saini, e vlerësoi për “guxim të jashtëzakonshëm” gjatë procesit. Një oficer policie u pa duke qarë teksa dilte nga salla. Të pandehurit u paralajmëruan se pritet të marrin dënime të gjata me burg më 21 dhe 22 dhjetor. Rasti u krahasua me çështjen e Gisele Pelicot në Francë; policia britanike kërkoi ekspertizën e hetuesve francezë për të ndërtuar çështjen.
