Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Britania kanë shprehur shqetësim të fortë për kufizimet e vendosura nga Irani ndaj inspektorëve ndërkombëtarë të objekteve bërthamore, duke i kërkuar Teheranit të lejojë rifillimin e kontrolleve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
Në një deklaratë të përbashkët, katër vendet theksojnë se ka pasur pak ose aspak përparim në verifikimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit, pasi agjencia ndërkombëtare nuk ka marrë aksesin e nevojshëm për të kryer inspektimet.
Sipas raportit të IAEA-s, autoritetet iraniane kanë refuzuar lejimin e kontrolleve, duke argumentuar se situata e sigurisë është përkeqësuar për shkak të luftës. Agjencia bën të ditur se nuk ka marrë informacion mbi gjendjen e objekteve bërthamore të deklaruara nga Irani dhe materialet bërthamore që ndodhen në to.
Inspektorëve nuk u është dhënë gjithashtu akses në objektet për të cilat kanë paraqitur kërkesa zyrtare, duke pamundësuar verifikimin e pavarur të programit bërthamor iranian dhe duke shtuar shqetësimet për mungesën e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
Në deklaratën e tyre, SHBA-ja, Franca, Gjermania dhe Britania shprehën mbështetjen për drejtorin e përgjithshëm të IAEA-s, Rafael Grossi, duke vlerësuar përpjekjet e tij për të garantuar zbatimin e inspektimeve në Iran.
Përplasja vjen në një kohë kur Grossi raportohet se po synon postin e sekretarit të përgjithshëm të ardhshëm të OKB-së, në përfundim të mandatit të Antonio Guterres.
Teherani, nga ana tjetër, ka kritikuar vazhdimisht qëndrimin e IAEA-s, duke akuzuar drejtuesit e saj për trajtim të njëanshëm të programit bërthamor iranian në raport me atë të Izraelit.
