Në Shqipëri shqetësimet për korrupsionin janë rritur se tepërmi gjatë këtij viti, teksa në vendet e Ballkanit Perëndimor po shënojnë rënie.
Sipas anketës SecuriMeter 2026 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Shqipëri, 92,1% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin mjaft ose shumë të përhapur, nga 86,6% një vit më parë. Mesatarja e gjashtë vendeve të rajonit ra nga 81% në vitin 2025 në 76,5% në vitin 2026, duke e zgjeruar diferencën me Shqipërinë me rajonin në 15,6 pikë përqindjeje.
Në vitin 2026, 36% e të pyeturve në Shqipëri e cilësuan korrupsionin “shumë të përhapur”, nga 28% në vitin 2025. Ndërkohë, përqindja e atyre që e quajnë “mjaft të përhapur” ra lehtë, nga 58% në 56%.
U ngushtua edhe grupi që e sheh korrupsionin si dukuri të rrallë. Në vitin 2025, rreth 13% e të anketuarve në Shqipëri e konsideronin mjaft ose shumë të rrallë. Në anketën e fundit, kjo përqindje zbriti në 6,7%. Në rajon, 16,8% e të anketuarve e cilësuan korrupsionin mjaft ose shumë të rrallë, rreth dy herë e gjysmë më shumë se në Shqipëri.
Në vitin 2023, 86,8% e të anketuarve në Shqipëri e konsideronin korrupsionin mjaft ose shumë të përhapur, vetëm 1,4 pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale. Një vit më pas, treguesi në Shqipëri u ngjit në 91,2%, për të zbritur në 86,6% në 2025. Rritja e fundit e çoi në nivelin më të lartë të periudhës 2023–2026.
Në të njëjtën periudhë, mesatarja rajonale ka rënë çdo vit, nga 85,4% në vitin 2023 në 82,8% në vitin 2024, dhe 76,5% në 2026. Edhe te përgjigjja “shumë i përhapur”, diferenca mes Shqipërisë dhe rajonit është ngushtuar ndjeshëm. Në vitin 2025, këtë përgjigje e dhanë 28% në Shqipëri dhe 40% në rajon.
Sipas SecuriMeter 2026, 61% e të anketuarve në Shqipëri thanë se ata ose një anëtar i familjes kishin bërë një pagesë shtesë, kishin dhënë një dhuratë me vlerë ose kishin bërë një donacion në sistemin shëndetësor gjatë tre viteve të fundit, kundrejt 27,4% në rajon. Po ashtu, 63% e të pyeturve në Shqipëri mendojnë se institucionet publike nuk i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë, kundrejt 51,6% në rajon.
Rreziku i favorizimit lidhet edhe me mënyrën si jepen kontratat publike dhe si zgjidhen çështjet e pronësisë. Sipas Komisionit Europian, gati një në katër tenderë në Shqipëri në vitin 2025 u dha me një ofertues të vetëm, çka kufizon mundësinë për të krahasuar çmimet dhe kushtet.
Në Kadastër, pasiguria mbi titujt e pronësisë dhe vonesat në legalizime i lënë qytetarët dhe bizneset në pritje të vendimeve administrative, duke krijuar hapësirë për ndërmjetësim informal dhe trajtim preferencial./Monitor