Erërat e fuqishme që goditën Maqedoninë e Veriut mbrëmjen e kaluar kanë sjellë dëme materiale dhe vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore.
Në rrugën Gostivar – Strazhë – Kërçovë, pranë kryqëzimit të Gostivarit, për shkak të erës së fortë janë rrëzuar një semafor dhe një shtyllë ndriçimi, ndërsa në segmente të tjera të së njëjtës rrugë pemë të rrëzuara kanë bllokuar kalimin.
Të lidhura
None found
Skuadrat e ndërmarrjes publike “Rruga e Maqedonisë” ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e pengesave dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Vështirësi janë regjistruar edhe në aksin Shkup – Tetovë, ku një pemë ka rënë përpara Karpallakut, si dhe në rrugën rajonale Tetovë – Shkup, e cila po ashtu është prekur nga rrëzimi i pemëve.
Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë u ka bërë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të tregojnë vigjilencë të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mos qëndrojnë afër pemëve të larta, shtyllave elektrike apo objekteve që mund të shemben nga era.
Ndërkohë, autoritetet u kanë kërkuar drejtuesve të mjeteve të jenë veçanërisht të kujdesshëm, ta përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, të evitojnë manovrat e rrezikshme dhe të ndjekin sinjalistikën rrugore të vendosur.








