Rreth 20 mijë ujgurë u larguan nga rajoni i Xinjiangut në Kinë, duke ikur nga represioni dhe persekutimi, për të gjetur strehim në Siri. Por vendi që u bë shtëpia e tyre e re, u kthye edhe në një terren ku ata u armatosën dhe u trajnuan ushtarakisht, duke u përfshirë në luftën civile kundër regjimit të Bashar al-Assadit. Pas rrëzimit të Assadit, e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt, ndërsa përballen me një zgjedhje të vështirë: të vazhdojnë luftën për pavarësinë e vendit të tyre apo të ndërtojnë një jetë të re në Siri.
Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta britanike “The Times”, mijëra ujgurë u larguan nga Kina pas viteve të represionit politik dhe kufizimeve ndaj identitetit, kulturës dhe besimit të tyre fetar. Shumë prej tyre ndërprenë kontaktet me familjarët, nga frika se komunikimi me ta mund t’i ekspozonte ndaj mbikëqyrjes dhe ndëshkimit nga autoritetet kineze.
Për shumë prej këtyre luftëtarëve, një moment vendimtar ishte viti 2009, kur në rajonin e Xinjiangut shpërthyen përplasjet e dhunshme etnike mes ujgurëve dhe kinezëve të etnisë Han. Ngjarjet u shoqëruan me viktima, arrestime dhe zhdukje të të rinjve ujgurë, duke shtuar pakënaqësinë ndaj autoriteteve të Pekinit.
Fillimisht, disa prej tyre kërkuan rrugë për t’u organizuar dhe për t’u trajnuar në Afganistan dhe Pakistan, por kushtet e vështira, sulmet me dronë dhe dallimet ideologjike me grupet e tjera militante i shtynë drejt Sirisë, ku lufta civile kishte nisur në vitin 2011.
Në Siri, ujgurët u organizuan kryesisht në Partinë Islamike të Turkistanit (TIP), një formacion i përbërë kryesisht nga luftëtarë ujgurë. Sipas të dhënave të cituara në raportimet për këtë komunitet, rreth 2 mijë deri në 3 mijë luftëtarë u përfshinë në konflikt, ndërsa qindra, sipas vlerësimeve të ndryshme, humbën jetën në përballjet me forcat e regjimit të Assadit.
Roli i tyre u bë veçanërisht i dukshëm gjatë ofensivës që çoi në rrëzimin e Assadit në dhjetor të vitit 2024. Pas përfundimit të regjimit të tij, grupimi u shpërbë si formacion i pavarur dhe luftëtarët ujgurë u integruan në strukturat e ushtrisë së re siriane, duke u organizuar në Divizionin e 84-të, një njësi kryesisht ujgure.
Megjithatë, prania e tyre në Siri përbën një çështje të ndjeshme për autoritetet e reja të Damaskut. Kina i konsideron këta luftëtarë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe kërkon që qeveria siriane të mos lejojë përdorimin e territorit të saj për veprimtari kundër Pekinit.
Nga ana tjetër, Siria ka nevojë për investime dhe mbështetje ndërkombëtare për rindërtimin e vendit, çka e bën marrëdhënien me Kinën të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kjo situatë mund t’i vendosë autoritetet siriane përballë një zgjedhjeje të vështirë mes marrëdhënieve me Pekinin dhe detyrimit ndaj luftëtarëve të huaj që kontribuuan në rrëzimin e regjimit të mëparshëm.
Ndërkohë, shumë prej ujgurëve që jetojnë në Siri kanë nisur të ndërtojnë një jetë të re. Ata kanë krijuar komunitete, shkolla dhe xhami, duke u përpjekur të ruajnë gjuhën dhe identitetin e tyre. Disa shpresojnë të marrin shtetësinë siriane, të hapin biznese dhe të sigurojnë një të ardhme për fëmijët e tyre.
Megjithatë, ëndrra për t’u rikthyer në Xinjiang dhe për të luftuar për pavarësinë e Turkistanit Lindor, siç e quajnë ata rajonin që Kina njeh si Xinjiang, mbetet e gjallë për një pjesë të këtij komuniteti. Për shumë prej tyre, kthimi në vendlindje duket gjithnjë e më i pamundur, ndërsa e ardhmja në Siri varet edhe nga marrëdhëniet që qeveria e re do të ndërtojë me Pekinin.
Artikulli i Anthony Loyd në “The Times” ngre pikërisht këtë dilemë: pasi luftuan për çlirimin e Sirisë nga regjimi i Assadit, a do të vazhdojnë ujgurët të luftojnë për lirinë e vendit të tyre apo do të zgjedhin të ndërtojnë një të ardhme të re në tokën që i priti si refugjatë?
