Negociatorët e Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re për forcimin e marrëdhënieve mes dy palëve, në prag të samitit të zhvilluar këtë të premte në Bruksel.

Sipas raportimeve të mediave britanike, përfshirë “The Guardian” dhe BBC, negociatat e zhvilluara të enjten në mbrëmje kanë prodhuar disa kompromise të rëndësishme, mes tyre edhe një marrëveshje paraprake për një program të ri lëvizshmërie për të rinjtë.

Propozimi parashikon që deri në 100 mijë qytetarë të Bashkimit Europian, të moshës deri në 31 vjeç, të mund të hyjnë çdo vit në Britaninë e Madhe përmes një skeme të posaçme. Shifra është më e lartë se propozimi fillestar prej 50 mijë personash. Në vitin 2024, BE kishte propozuar një program për të rinjtë nga mosha 18 deri në 30 vjeç, të cilët do të mund të punonin ose studionin në Britani për një periudhë deri në katër vjet.

Një tjetër çështje e rëndësishme e negociatave ka qenë ajo e tarifave universitare. Sipas raportimeve, Bashkimi Europian ka tërhequr kërkesën që studentët europianë të paguajnë të njëjtat tarifa si studentët britanikë. Londra kishte kundërshtuar propozimin për aplikimin e tarifave vendase, ndërsa palët kanë arritur një kompromis përmes një marrëveshjeje plotësuese, detajet e së cilës pritet të përcaktohen brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Kompromis është arritur edhe për përfshirjen e Britanisë në hartimin e politikave europiane për ushqimin dhe pijet. Londra kishte kërkuar të kishte të drejtë vote për disa procedura legjislative që lidhen me standardet ushqimore, por Franca e kishte kundërshtuar këtë kërkesë. Në përfundim, Britania është tërhequr nga kërkesa për të votuar, ndërsa do të ketë mundësinë të japë mendimin e saj për legjislacionin e ri.

Në samitin e Brukselit, Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar synojnë të finalizojnë tri marrëveshje, të cilat sipas vlerësimeve mund t’i shtojnë 0.4% Prodhimit të Brendshëm Bruto britanik.

Në qendër të tyre është marrëveshja për ushqimin dhe pijet, e cila ishte gjithashtu një nga premtimet zgjedhore të Partisë Laburiste. Ajo parashikon që Mbretëria e Bashkuar të përafrojë rregullat e saj me standardet sanitare dhe fitosanitare të BE-së (SPS), duke u përshtatur me kuadrin rregullator të Bashkimit Europian.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi më 1 mars 2028 dhe synon të lehtësojë tregtinë mes dy palëve, duke reduktuar pengesat që u krijuan pas Brexit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: