Sport

Abissnet Superiore, kampionët sot në Korçë!

Kampionati i Abissnet Superiore rikthehet sot me dy nga pesë ndeshjet e javës së 12-të. Egnatia kryesuese luan në fushën e Skënderbeut, Dinamo me Ilir Dajën sërish në tribunë kërkon kthesën ndaj elbasanasve.

Skënderbeu-Egnatia ngre siparin e kësaj jave, që i luan ndeshjet e saj të shpërndara në 3 ditë. Kampionët në fuqi të vendit, të shkëputur në krye të krye të klasifikimit, edhe pse duhet të menaxhojnë forcat para përballjes së radhës në Europë, nuk kanë në plan të tolerojnë aspak.

Ndërprerja e kampionatit e ka ndihmuar skuadrën e trajnerit Nevil Dede të rifitojë freskinë dhe ndonjë lojtar që ka pasur probleme fizike, siç është Gruda. Korçarët në anën tjetër po kalojnë një formë të mirë. Ata nuk njohin humbje në 5 ndeshjet e fundit dhe sot kanë faktorin fushë në anën e tyre. Ndeshja nis në orën 16:00.

Me më shumë interes ndoshta pritet ndeshja Elbasani-Dinamo, në orën 18:30. Përveç dy skuadrave në fushë ka edhe një sfidë brenda familjes në këtë ndeshje. Trajneri i Elbasanit, Glen Daja, deri para pak javësh ndihmëstrajner i Dinamos, përballet me të atin Ilir Daja.

Sa i takon përballjes në fushë, Dinamo e vendit të tretë ka humbur terren në javët e fundit dhe sot kërkon kthesën për të shmangur thellimin e krizës. Alhassan dhe Qardaku janë mungesat për blutë. Edhe Elbasani synon fitoren, pas humbjes me Vllazninë.

Java e 12-të vazhdon të shtunën me ndeshjet Partizani-Vllaznia dhe Teuta-Laçi (luhet në Rrogozhinë), ndërsa Vora-Tirana luhet ditën e diel.