Reshjet dhe erërat e forta përfshijnë Shkodrën, bllokohet pjesërisht aksi Tamarë–Vermosh, rrëshqitje gurësh dhe ndërprerje energjie

Gjatë natës së kaluar, territori i Qarkut Shkodër është përfshirë nga reshje shiu dhe erëra të forta. Situata në nivel qarku paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, me problematika të kufizuara kryesisht në disa zona malore, në akset rrugore rurale dhe në furnizimin me energji elektrike. Deri në momentin e raportimit, nuk raportohen problematika të tjera të natyrës së emergjencave civile.
Në Bashkinë Shkodër, pavarësisht reshjeve të shiut dhe erërave të forta, nga strukturat e Mbrojtjes Civile nuk raportohen problematika.
Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, në vendin e quajtur Dobri, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në digën e Selcës, prurjet e përroit kanë sjellë depozitimin e materialeve inerte, duke bllokuar rrugën. Gjithashtu, në zonën e Gropave të Selcës janë konstatuar rrëshqitje gurësh. Strukturat përgjegjëse ndodhen në terren për verifikimin e situatës dhe kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme.
Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, është bllokuar pjeserisht aksi rrugor Tamarë–Vermosh. Firma kontraktuese ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e plote te qarkullimit.
Në Bashkinë Vau i Dejës, janë evidentuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Njësitë Administrative Vig-Mnelë dhe Hajmel. Deri në momentin e raportimit, nga strukturat e Mbrojtjes Civile nuk raportohen problematika të tjera.
Në Bashkinë Pukë, erërat e forta kanë shkaktuar thyerjen e disa pemëve në unazën e qytetit, të cilat janë larguar nga Drejtoria e Shërbimeve. Gjithashtu, janë evidentuar rënie gurësh në rrugët rurale dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike deri në mesnatë. Energjia elektrike eshte rikthywr pas remontit. Deri në momentin e raportimit, nuk janë evidentuar problematika të tjera.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet e shiut kanë shkaktuar rënie gurësh dhe dherash në akset rrugore të Njësive Administrative Fierzë, Blerim, Iballë dhe Qafë-Mali. Deri në momentin e raportimit, nuk raportohen problematika të tjera nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, janë evidentuar ndërprerje në zonën e Vrakës, në Bashkinë Malësi e Madhe, në Zagorë dhe në një pjesë të zonës Tamarë–Vermosh. Gjithashtu, janë regjistruar ndërprerje të herëpashershme në disa njësi administrative të Bashkisë Fushë-Arrëz. Ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Sipas monitorimit të kryer nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 13 mm reshje shiu, pa u konstatuar problematika në veprat e kullimit dhe të mbrojtjes nga përmbytjet. Nivelet e ujit në lumenj, liqene dhe veprat ujore vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut, ndërsa hidrovoret janë funksionale dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin e vazhdueshëm të situatës, në koordinim dhe bashkërendim me strukturat e Mbrojtjes Civile pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucionet përgjegjëse. Vëmendja është përqendruar në ndjekjen e problematikave të evidentuara, marrjen e masave për normalizimin e situatës, rikthimin e qarkullimit në akset rrugore të prekura dhe garantimin e furnizimit me energji elektrike.




