Prezervativë e cigare elektronike, Dogana zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 4,400 eurosh
Dogana e Kosovës bën të ditur se përmes mekanizmave të menaxhimit të riskut, ka përzgjedhur për kontroll të detajuar një kamion që transportonte mallra të deklaruara nga operatori ekonomik.
Gjatë kontrollit të realizuar nga zyrtarët doganorë, në dërgesë janë zbuluar mallra të ndryshme të padeklaruara, të cilat i nënshtrohen kërkesave për leje përkatëse të importit, si dhe autorizimeve përkatëse për tregtimin e mallrave të akcizës.
Mallrat e zbuluara përfshijnë: prezervativë 11,520 paketime, me nga 3 copë secila si dhe cigare elektronike 400 copë.
Dogana njofton se vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore, vlerësohet në rreth 4,400 euro.
“Dogana e Kosovës, përmes zbatimit të mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit të riskut, vazhdon të identifikojë dhe parandalojë rastet e mosdeklarimit të mallrave, duke siguruar zbatimin e legjislacionit doganor, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe konkurrencën e drejtë në treg.
Kontrollet do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të shkeljeve dhe garantimit të respektimit të kërkesave ligjore për importin dhe qarkullimin e mallrave në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/




























