Dy shtetase kineze kanë rënë në prangat e Policisë së Fierit, pasi dyshohet se kishin përshtatur një ambient të marrë me qira për ushtrimin e prostitucionit dhe shfrytëzimin e tij.
Në pranga përfunduan Zhang Yongzhong Ling, 52 vjeçe, dhe Qiaorong Honghua Rui, 47 vjeçe, të dyja shtetase kineze.
Sipas hetimeve paraprake, dy gratë dyshohet se vepronin në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe kishin marrë me qira një lokal në qytetin e Fierit, të cilin e përdornin për veprimtari që lidhen me prostitucionin dhe shfrytëzimin e saj.
Në kuadër të këtij hetimi, policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Fierit edhe për tre persona të tjerë, me inicialet M. A., K. P. dhe Xh. S., banues në Novoselë të Vlorës, Daullas dhe Hoxhar të Fierit, të dyshuar për veprën penale të prostitucionit.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar gjashtë telefona celularë, 300 euro dhe 35 mijë lekë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetimin e çështjes.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.














