Të gjithë kanë mbetur pa gojë!
Ka ardhur vetë ajo, karavidheja e kuqe e së majtës botërore!
Që jemi pa dinjitet dhe inferiorë, kjo nuk është diçka e re. Por që të gjithë televizionet dhe mediat të bënin garë e të vraponin kush e kush më shumë për ta intervistuar dhe përcjellë publikut bëmat e saj, kjo tejkaloi çdo imagjinatë.
Greta, heroina ndërkombëtare e Tiranës! Ka ardhur të mbështesë protestën e 28 Nëntorit.
Thuaj pastaj që në protestë nuk kanë dorë të huajt, që nuk trazojnë urët e zjarrit dhe që nuk përpiqen që flakët të jenë sa më të mëdha e të djegin sa më shumë Tiranën dhe Shqipërinë.
Aq shumë u impresionua media shqiptare me Gretën, saqë askush nuk ia vuri veshin xhevahireve që tha.
«Kam ardhur të ndihmoj Shqipërinë të mos i shitet fuqive imperialiste», deklaroi.
E kishte fjalën për imperializmin amerikan dhe veglat e tij.
Foli sikur të ishte Nexhmija. Por edhe Nexhmija, të ishte gjallë, do të fliste me më shumë respekt për imperializmin amerikan. Gazetarët që e intervistuan dhe ata që komentonin në studiot televizive mbetën pa gojë. Nuk kishin dëgjuar gjëra kaq të mençura!
Greta, laraska marksiste-leniniste, e harboi të folurën sikur në Tiranën e viteve ’80 po prashisnin së bashku Fosko Dinuçi, Raul Marko dhe Zhoao Amazonas.
Përveç kësaj laraske, në protestën e 28 Nëntorit do të kemi edhe «miq» të tjerë të shquar.
Do të vijnë xhamillërët dhe korrakët e VLEN-it nga Tetova. Objektiv kanë imperializmin amerikan dhe sionistët jahudinj, të cilët pengojnë që Shqipëria të bëhet e Babës si qemoti e të krijohet edhe një herë pashallëku i Shkupit.
Do të vijnë militantët e Vetëvendosjes, të cilët me Gretën hanë në një çanak ideologjik. Në të vërtetë, ata më shumë e kanë me Ramën sesa me marksizëm-leninizmin.
Në Tiranë do të takohen me sivëllezërit fondamentalistë që po krijojnë parti të re, ku mallkimi i Skënderbeut dhe i 28 Nëntorit quhet vlerë përbashkuese.
Në protestë do të marrin pjesë të gjitha rraqet politike shqiptare, të vjetra e të reja, të majta e të djathta, influencerët, shoqëria civile me brekë e pa brekë. Të gjithë, për pak pushtet e lekë, e shesin shpirtin dhe bashkohen edhe me djallin.
Në mbështetje do të kenë grupet e sulmit shqiptare dhe të importuara, me maska, me çanta në kurriz, të stërvitura e të paguara, me urë zjarri dhe molotovë ndër duar.
Të gjithë këta përbëjnë taborrin që më 28 Nëntor do të përpiqen t’i vënë flakën sa më keq Tiranës. Po e thonë qartë dhe hapur.
Pyetja është: po shteti çfarë do të bëjë?
Nëse shteti do të lejojë anarki, djegie e shkatërrim të pronës private e publike, si në muajin tetor, përgjegjësia do të bjerë mbi të.
Rrugacët civilë dhe politikë kanë paralajmëruar se do ta bëjnë.
Qeveria nuk mund të justifikohet se u zu e papërgatitur, se nuk kishte informacion, se nuk kishte mjete të mjaftueshme, se ruhet nga raportet ndërkombëtare për «tejkalim» të forcës nga policia.
Shumica e popullsisë kërkon që të mbrohet nga kjo pakicë e tërbuar që do pushtet me dhunë, sikur të ishte në Amerikën Latine të viteve ’60 të shekullit të kaluar.
Nëse qeveria nuk i del dot zot Tiranës dhe vendit, nëse nuk e mbron dot nga djegia dhe shkatërrimi, më mirë të ikë dhe të vijnë të tjerë. 83 mandatet hidhini në kosh, pasi apatia, indiferenca dhe mefshtësia mund ta çojnë vendin në përplasje civile.
Muaj më parë kam shkruar se objektivi i vërtetë i protestave është anulimi i samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Shqipëri dhe shkatërrimi i procesit të integrimit evropian të vendit.
Të parin e arritën. Oreksi është rritur dhe këtë radhë tentojnë objektivin e dytë, në kushtet kur Bashkimi Evropian synon që në vitin 2027 të nisë puna për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Haxhi Qamili do t’i kishte zili nëse ky proces do të shkatërrohej më 28 Nëntor.










Komente
Komento