Joshua bëhet baba për herë të dytë por s’e braktis stërvitjen: Kam një mision për të përmbushur

20 Nëntor 2026
10:29
Telesport
back button

Boksieri britanik Anthony Joshua u bë baba për herë të dytë pas lindjes së një vajze fundjavën e kaluar. Megjithatë, për shkak të stërvitjes intensive për ndeshjen kundër Tyson Fury, ai nuk ka mundur ta takojë atë.

Joshua, i cili ka edhe një djalë (JJ, të lindur në vitin 2015), ndodhet aktualisht në një kamp stërvitor në Marbella, duke u përgatitur për duelin e madh britanik kundër Fury. Kjo sfidë do të zhvillohet më 11 dhjetor në stadiumin “Principality” në Cardiff. Për këtë arsye, ai nuk mundi të ishte i pranishëm gjatë lindjes.

Edhe pse ditët e fundit ka pasur mundësinë të komunikojë përmes FaceTime me nënën dhe vajzën, Joshua pranon se do të kishte dashur të ishte aty fizikisht. Por, përgatitjet për përballjen me Fury nënkuptojnë se ai aktualisht është “në një mision”.

“Nuk është situata ideale, por ajo është në duar të sigurta. Ajo ka një nënë të mrekullueshme, një familje të jashtëzakonshme rreth vetes, e po ashtu edhe stafi i spitalit kanë qenë të mrekullueshëm. për momentin jam i qetë duke ditur se ajo është në duar të mira“, tha Joshua në një intervistë për ‘The Sun’.

“Por për momentin jam në detyrë dhe jemi në një mision. E dija për këtë që para nëntë muajsh, ndaj kam marrë një angazhim që, për fat të keq, nuk mund ta ndryshoj. Megjithatë, sigurisht që do të jem i pranishëm në shumë ditëlindje të tjera të saj në të ardhmen“, shtoi Joshua.

I pyetur se kur pritet ta takojë vajzën personalisht për herë të parë, Joshua u përgjigj: “Ndoshta më 12 ose 13 dhjetor. Do të shkoj ta shoh, ta përkund për ta vënë në gjumë, t’i bëj të dëgjojë zërin tim dhe të ndiejë rrahjet e zemrës sime. Gjërat thelbësore, pra“, u shpreh ish-kampioni i botës në peshën e rëndë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit