Health & Beauty

Zbutësi i rrobave po i dëmton peshqirët, ja si të riktheni butësinë e tyre!

Zbutësi i rrobave mund t’i bëjë peshqirët të kenë aromë të këndshme dhe të duken më të butë, por përdorimi i vazhdueshëm mund të ketë efektin e kundërt. Me kalimin e kohës, ata humbasin aftësinë për të thithur ujin dhe mund të fillojnë të mbajnë aroma të pakëndshme.

Ekspertja e lavanderisë Ashley Kidder shpjegon për Real Simple se zbutësi krijon një shtresë dylli dhe vajore mbi fibrat e pambukut. Kjo shtresë grumbullohet pas çdo larjeje dhe pengon peshqirët të kryejnë funksionin e tyre kryesor: të thithin lagështinë.

Sipas saj, mbetjet e zbutësit bllokojnë në fibra lagështinë, papastërtitë dhe vajrat e lëkurës, duke krijuar kushte për aroma të pakëndshme dhe myk. Edhe përdorimi i tepërt i detergjentit mund të shkaktojë të njëjtin problem.

Por, zgjidhja është më e thjeshtë nga sa duket. Kidder rekomandon t’i lani peshqirët në temperaturë të lartë, duke shtuar një filxhan uthull të bardhë dhe pa përdorur detergjent.

Uthulla ndihmon në largimin e mbetjeve të zbutësit që janë grumbulluar në fibra. Pas larjes, peshqirët duhet të thahen si zakonisht, në temperaturë mesatare ose të ulët. Ekspertja sugjeron që kjo mënyrë pastrimi të përsëritet çdo tre muaj, në mënyrë që peshqirët të ruajnë butësinë dhe aftësinë thithëse.