
Brukseli dhe Londra kanë rënë dakord që 100 mijë të rinj evropianë të mund të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa marrëveshja për tarifat e universitetit është shtyrë me gjashtë muaj. Skema e mobilitetit rinor u arrit në samitin e dytë dypalësh mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që u mbajt të premten.
Në atë takim palët kërkuan një rivendosje më të gjerë të marrëdhënieve pas Brexit-it, shkruan Euronews. Skema e mobilitetit rinor është një nga elementët kryesorë të këtij rivendosjeje, sipas një zyrtari të BE-së, i cili vlerësoi se ajo është e rëndësishme për kontaktet mes njerëzve në të dyja anët e Kanalit të La Manshit.
Sipas tij, ulja e numrit të studentëve që studiojnë në anën tjetër e bën marrëdhënien më të varfër, dhe kjo është diçka që palët duan ta adresojnë. Skema e re, e quajtur Youth Experience Scheme (YES), do të lejojë 100 mijë të rinj nga BE-ja dhe 100 mijë nga Mbretëria e Bashkuar të jetojnë në territorin e njëra-tjetrës deri në tre vjet.
Pritet që ajo të jetë funksionale deri në janar 2030, sipas Euronews. Përveç skemës rinore, palët ranë dakord edhe për disa marrëveshje të tjera, përfshirë përafrimin e standardeve agroushqimore dhe lidhjen e tregjeve të tyre të karbonit. Tarifat e universitetit, pika e pazgjidhur Ndërsa skema e mobilitetit u mbyll, dy palët nuk arritën të zgjidhin çështjen e diskutueshme të tarifave të universitetit.
Ato u angazhuan në vend të kësaj të arrijnë një marrëveshje brenda gjashtë muajsh. Mbretëria e Bashkuar, e cila pret shumë më tepër studentë nga BE-ja sesa dërgon në bllok, dëshiron thjesht të ulë tarifat. BE-ja, nga ana tjetër, kërkon që studentët e saj të trajtohen njësoj si studentët britanikë në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar.
Kështu ndodhte para Brexit-it, kur studentët e BE-së përfitonin nga trajtimi i barabartë sipas rregullave të BE-së që ndalojnë diskriminimin për shkak të shtetësisë. Rritja e tarifave pas Brexit-it ka ulur ndjeshëm regjistrimet nga BE-ja. Sipas Observatorit të Migracionit të Universitetit të Oksfordit, numri i studentëve të BE-së që nisën një kurs në universitetet britanike ra me 57% mes viteve akademike 2020/21 dhe 2023/24. Erasmus+ dhe hapi tjetër i miratimit Mbretëria e Bashkuar ka rënë tashmë dakord të rikthehet në Erasmus+, programin e shkëmbimit të BE-së për arsimin dhe formimin profesional, me pjesëmarrjen që nis më 1 janar 2027.
Mbetet për t’u parë nëse shtetet anëtare do ta kushtëzojnë miratimin përfundimtar të këtyre marrëveshjeve me një zgjidhje të kënaqshme për tarifat e shkollimit, sipas Euronews.
