Një 25-vjeçar në Tiranë ka rënë në prangat e Policisë, pas tentativës për t’i marrë 1 milionë euro një 54-vjeçari, të cilit i ishte prezantuar në rrjetet sociale si funksionar publik.

Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se 25-vjeçari nga Tirana u arrestua në flagrancë, duke marrë shumën e kërkuar të parave.

Ndërkohë hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, persona të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe në raste të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Finalizohet operacioni i koduar “Request”.

Do t’i merrte 1 milion euro, një 54-vjeçari, pasi i ishte prezantuar në platforma online, si funksionar publik, arrestohet duke marrë paratë, 25-vjeçari.

Si rezultat i veprimeve hetimore me metoda speciale, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, menjëherë pas denoncimit të një 54-vjeçari, se dyshonte se e kishin mashtruar në platforma komunikimi online nëpërmjet përdorimit të identitetit të një funksionari publik, për të dhënë 1 milion euro, u finalizua operacioni i koduar “Request”.

Në kuadër të operacionit u ndërhy për arrestimin në flagrancë të autorit, shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, kur po merrte paratë.

Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe në raste të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.