Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një 54-vjeçari, duke u prezantuar në platformat e komunikimit online si funksionar publik.
Sipas policisë në pranga ka rënë shtetasi Albi Muça, 25 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte përdorur identitetin e një funksionari publik në komunikimet online, me qëllim bindjen e 54-vjeçarit për t’i dhënë shumën prej 1 milion eurosh.
“Pas denoncimit të një 54-vjeçari, se dyshonte se e kishin mashtruar në platforma komunikimi online nëpërmjet përdorimit të identitetit të një funksionari publik, për të dhënë 1 milion euro, u finalizua operacioni i koduar “Request”. Në kuadër të operacionit u ndërhy për arrestimin në flagrancë të autorit, shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, kur po merrte paratë”,– thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.













