Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës po vijon operacionin për prishjen e strukturave të ngritura pa leje në zonat rreth liqeneve akumuluese.
Ministrja Fitore Pacolli njoftoi se inspektorati i ministrisë e ka zhvendosur aksionin pranë Liqenit të Ujmanit, pasi paraprakisht përfundoi shembjen e ndërtimeve ilegale dhe pastrimin e zonës përreth Liqenit të Radoniqit.
Të lidhura
None found
Sipas saj, kjo fazë përfshin gjashtë objekte të ndërtuara pa leje, konkretisht katër veranda dhe dy shtëpi.
Ajo paralajmëroi se i njëjti operacion do të shtrihet më pas në zonat që rrethojnë liqenet e Batllavës dhe Badovcit.
Pacolli shkroi në një postim se mbrojtja e liqeneve dhe burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët, duke paralajmëruar se ndërtimet e paligjshme që cenojnë pasuritë natyrore nuk do të tolerohen.
Ministrja Pacolli deklaroi se “Ligji do të zbatohet pa përjashtim!” dhe shtoi se operacioni për heqjen e ndërtimeve pa leje do të mbulojë edhe zonat e tjera ujore të vendit.








