
Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një biznesmeni, duke u prezantuar në aplikacionet e komunikimit online si kryeministri Edi Rama.
Mësohet se ai i kishte shkruar një ndërtuesi në aplikacionin Signal, duke përdorur identitetin e kryeministrit dhe duke i kërkuar shumën prej 1 milion eurosh. Në komunikimet me biznesmenin, 25-vjeçari i kishte thënë se do të dërgonte një person tjetër për të marrë paratë.
“Finalizohet operacioni i koduar “Request”.
Do t’i merrte 1 milion euro, një 54-vjeçari, pasi i ishte prezantuar në platforma online, si funksionar publik, arrestohet duke marrë paratë, 25-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore me metoda speciale, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, menjëherë pas denoncimit të një 54-vjeçari, se dyshonte se e kishin mashtruar në platforma komunikimi online nëpërmjet përdorimit të identitetit të një funksionari publik, për të dhënë 1 milion euro, u finalizua operacioni i koduar “Request”.
Në kuadër të operacionit u ndërhy për arrestimin në flagrancë të autorit, shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, kur po merrte paratë.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe në raste të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim“, thuhet në njoftimin e policisë.