Një shkencëtar shqiptar në një prej institucioneve më prestigjioze akademike të Britanisë së Madhe, tashmë jo vetëm si studiues, por edhe si një prej njerëzve që do të përcaktojnë të ardhmen e tij. Prof. Shyqyri Haxha është zgjedhur anëtar i Bordit Akademik të Royal Holloëay, Universiteti i Londrës, organit më të lartë vendimmarrës në çështjet akademike të këtij institucioni.
Për tre vitet e ardhshme, ai do të jetë pjesë e vendimmarrjes për politikat dhe drejtimet strategjike të universitetit, nga cilësia e mësimdhënies dhe provimet, deri te kërkimi shkencor. Një përgjegjësi që, siç shprehet vetë, është një privilegj i veçantë, por edhe një detyrim për të kontribuar në të ardhmen e institucionit.
Por kontributi i profesorit shqiptar shkon shumë përtej auditorëve universitarë. Ai është gjithashtu themelues i një qendre kërkimore për projektimin dhe zhvillimin e dronëve në Britani, me bashkëpunime të rëndësishme me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Policinë britanike. Nën drejtimin e tij, ekipi ka zhvilluar teknologji të avancuara për përdorime të ndryshme, veçanërisht në operacionet e kërkim-shpëtimit, monitorimin e përmbytjeve, zjarreve dhe aksidenteve. Dronë që mund të mbërrijnë në vendngjarje brenda pesë minutash dhe të përcjellin informacion në kohë reale te strukturat përkatëse.
Bilanci është mbresëlënës: mbi 40 patenta të zhvilluara nga ekipi dhe 15 shpikje të krijuara prej vetë profesorit. Ndër risitë e fundit është edhe një aplikacion që mundëson identifikimin e gjurmëve të vendndodhjes përmes telefonit, pa pasur nevojë për valë komunikimi. Ndërsa Londra është kthyer në një bazë për kërkimin dhe inovacionin e tij, Shyqyri Haxha ka një tjetër ambicie: ta sjellë këtë përvojë edhe në Shqipëri. Ai zbulon se ka pasur ftesa dhe bisedime me qeverinë shqiptare për krijimin e një qendre të posaçme të dronëve, një projekt që pret të konkretizohet përmes financimit dhe investimeve. Madje, është i gatshëm të sjellë nga Londra ekipin dhe pajisjet për të ngritur një qendër me standardet britanike./abcnews.al


