Drejtuesja politike e Sarandës, deputetja Ina Zhupa ka denoncuar gjendjen skandaloze në kopshtet publike të Sarandës. Zhupa ka ngritur shqetësimet lidhur me ambientet e brendshme duke thënë se në kopshte, krevatet janë të mykur dhe kushte të papërshtatshme për fëmijët.

Zhupa ka rikthyer në vëmendje edhe denoncimin e saj të mëparshëm për mbipopullimin në kopshte, ku numri i fëmijëve arrinte deri në 70 në një grup, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi administrimin e fondeve publike nga Bashkia Sarandë.

Sipas saj, vetëm për rikonstruksionin e kopshteve nr. 2 dhe 3 janë parashikuar rreth 51 milionë lekë fond limit, ndërsa për punimet në Metoq, Shelegar dhe Bërdenesh edhe 26.1 milionë lekë.

Më tej Zhupa kërkon transparencë për paratë e shpenzuara, verifikim të menjëhershëm të kushteve në institucionet parashkollore dhe përgjegjësi për çdo rast neglizhence apo abuzimi.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Bashkia Sarandë ofron kushte skandaloze në kopshte dhe harxhon miliona lek në letra për rikonstruksione.

Denoncimi i fundit i JOQ për gjendjen e kopshteve në Sarandë, me krevate të mykur dhe kushte skandaloze për fëmijët, është një tjetër kambanë alarmi për mënyrën si administrohen institucionet që duhet të kujdesen për më të vegjlit tanë.

Nuk është një rast i shkëputur. Në shtator denoncova publikisht se në kopshtet e Sarandës fëmijët ishin grumbulluar deri në 70 në një grup, sepse punimet në çerdhe dhe në kopshtin “Soros” nuk kishin përfunduar në kohë. Fëmijët e çerdhes u zhvendosën në Kopshtin nr. 1, ndërsa fëmijët e kopshtit “Soros” në Kopshtin nr. 5. Kërkova interpelancë me ministren Kumbaro por mazhoranca socialiste e dogji mundësinë.

Fëmijët e Sarandës përballen me krevate me myk dhe kushte që nuk garantojnë as standardet minimale të higjienës, Bashkia Sarandë shpall tendera me miliona lekë për rikonstruksione.

Vetëm për rikonstruksionin e kopshteve nr. 2 dhe 3, në vitin 2026, fondi limit ishte 51 milionë lekë, ndërsa oferta fituese rreth 49.5 milionë lekë. Për rikonstruksionin e kopshteve dhe shkollave në Metoq, Shelegar e Bërdenesh, fondi limit ishte edhe 26.1 milionë lekë.

Pyetjet janë të thjeshta dhe kërkojnë përgjigje:
Ku shkojnë gjithë këto para?
Kush kontrollon cilësinë e punimeve dhe materialeve?
A ka Bashkia Sarandë një kontroll real mbi sigurinë dhe higjienën në kopshtet publike?

Kërkoj transparencë të plotë për fondet e shpenzuara, verifikim të menjëhershëm të kushteve në kopshte dhe përgjegjësi për çdo abuzim apo neglizhencë.

Fëmijët e Sarandës meritojnë krevate të pastër, ambiente të sigurta, hapësirë për t’u zhvilluar dhe edukim dinjitoz. Jo myk, mbipopullim dhe miliona lekë pa llogaridhënie!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb