Një tentativë mashtrimi me vlerë 1 milion euro është parandaluar nga Policia e Tiranës, ku një 25-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi dyshohet se tentoi t’i merrte shumën e majme një 54-vjeçari, duke u prezantuar si funksionar publik në platformat e komunikimit online.
I riu, me inicialet A. M., banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë në momentin kur po merrte paratë, pas një operacioni të zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Ngjarja u zbulua pas denoncimit të 54-vjeçarit, i cili kishte ngritur dyshime se po mashtrohej nga persona që komunikonin me të përmes platformave online. Sipas hetimeve, autorët dyshohet se kishin përdorur identitetin e një funksionari publik për të fituar besimin e tij dhe për ta bindur që të dorëzonte shumën e konsiderueshme prej 1 milion eurosh. Pas kallëzimit, policia nisi hetimet me metoda speciale për të dokumentuar skemën dhe për të ndërhyrë në momentin e dorëzimit të parave.
Operacioni u kodua “Request” dhe u finalizua me arrestimin e 25-vjeçarit, pikërisht kur ai po merrte shumën e parave nga 54-vjeçari. Ndërhyrja e policisë bëri të mundur ndalimin e të dyshuarit në flagrancë, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur mënyrën sesi ishte organizuar skema e mashtrimit dhe rolin që mund të kenë pasur persona të tjerë në këtë rast.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë, si dhe për të verifikuar nëse e njëjta skemë është përdorur edhe në raste të tjera. Policia nuk përjashton përfshirjen e bashkëpunëtorëve të tjerë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.










