Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “PËRTEJ KUFIJVE TË KUJTESËS” NGA MIKEL TEMO NË “FAB”

““Përtej kufijve të kujtesës” (Beyond the Limits of Memory) është ekspozita e Mikel Temos, që do të çelet sonte në orën 19:00 në galerinë FAB në Tiranë. Ekspozita sjell për publikun 16 piktura të krijuara rreth dy dekada më parë, të cilat pas një qëndrimi të gjatë në Kanada dhe një udhëtimi në hapësira të ndryshme ekspozimi, prezantohen për herë të parë në Shqipëri.

2. “PAZARI I TRADITËS”, NJË DITË PËR KULTURËN E TRASHËGIMINË

Më 21 nëntor, nga ora 11:00 deri në orën 14:00, Pazari i Ri në Tiranë organizon “Pazarin e Traditës”, një festë kushtuar kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Përmes produkteve artizanale, tingujve tradicionalë, valleve dhe shijeve autentike, aktiviteti synon të sjellë pranë publikut atmosferën e traditës.

3. “HISTORIA E SHQIPËRISË NËN PENËN E ISMAIL QEMALIT” NË VLORË

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë çel ekspozitën e veçantë “Historia e Shqipërisë nën penën e Ismail Qemalit”, në kuadër të festave të Nëntorit. Ekspozita sjell për publikun dy artikuj autentikë të Ismail Qemalit, të botuar në revistën pariziene “Je sais tout” në vitin 1917, me titujt “Au pays des Shkiptars” dhe “L’Albanie indépendante et son premier M’bret”. Përmes këtyre botimeve, vizitorët do të njihen me mënyrën se si themeluesi i shtetit shqiptar prezantonte Shqipërinë, zakonet dhe karakterin e shqiptarëve për publikun europian. Shkrimet përmbajnë gjithashtu rrëfimin e tij mbi Shpalljen e Pavarësisë, diplomacinë europiane dhe sfidat e qeverisë së parë shqiptare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntor në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë.

4. SHFAQJA/“LETRAT E SHEKSPIRIT” NË TEATRIN “SKAMPA” NË ELBASAN

Pesë tragjedi të mëdha të Shekspirit vijnë në një këndvështrim bashkëkohor në shfaqjen “Letrat e Shekspirit”, që do të ngjitet në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan, sot në orën 19:00. Përmes groteskut, absurdit, humorit dhe ironisë, vepra sjell një udhëtim teatror mes personazheve dhe historive të “Hamletit”, “Mbretit Lir”, “Makbethit”, “Jul Cezarit” dhe “Romeo e Zhuljetës”. Shfaqja luan me idenë e përballjes së Shekspirit me vetë veprat e tij, duke ndërthurur reflektimin me situatat komike.

5. KOMEDIA /“GREPI I ARTË” NË QENDRËN E FËMIJËVE NË DURRËS

“Grepi i Artë” vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës sot, më 20 nëntor në orën 19:00. Në një botë ku të gjithë vëzhgojnë njëri-tjetrin, ambicia për pushtet dhe ruajtja e imazhit publik përplasen me sekretet personale. Përmes situatave plot surpriza, dashuri dhe ironi, shfaqja ngre pikëpyetje mbi të vërtetën dhe personazhet që mund të përfundojnë të kapur në rrjetën e intrigave të tyre.

6. CIRKU KOMBËTAR / “NE JEMI NDRYSHE” NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Ne jemi ndryshe” është shfaqja e Cirkut Kombëtar që do të vijë në skenën e Teatrit të Kukullae të shtunën dhe të dielën në orën 12:30.

7. SHFAQJA/“KUSH I SHPIKU RREGULLAT?” NË TEATRIN EKSPERIMENTAL

“Kush i shpiku rregullat?” është shfaqja për fëmijë me regji nga Semela Skënderasi, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental, nesër dhe të dielën, më 21 dhe 22 nëntor, në orën 10:30. Përmes një historie që ndërthur lojën, imagjinatën dhe humorin, shfaqja i fton fëmijët të reflektojnë mbi rregullat, lirinë dhe mënyrën se si përballemi me zgjedhjet tona.

8. TIMO MAAS DHE FRANCESCO MAMI NË “CHECK-OUT FESTIVAL”

Parku Olimpik “Feti Borova” në Tiranë mirëpret më 20 dhe 21 nëntor “Check-Out Festival”, një aktivitet që sjell në kryeqytet muzikë elektronike dhe rock. Sonte në mbrëmje do të interpretojnë Timo Maas dhe Francesco Mami. Dy artistët do të ndërthurin përvojën e Timo Maas, dy herë i nominuar për çmimin Grammy dhe i njohur për remikset e artistëve ndërkombëtarë, me tingullin karakteristik house të Francesco Mami. Ndërsa nesër, më 21 nëntor, festivali i kushton mbrëmjen muzikës rock dhe alternative, me performanca live nga grupet “Asgjë Sikur Dielli” dhe “Crossbones”.

9. TEATËR PËR FËMIJË / “MBRETI LUAN” NË TEATRIN E KUKULLAVE

Muzikali “Mbreti Luan”, një produksion që ndërthur kukullat gjigante, muzikën, ngjyrat dhe elementet interaktive do të vijë nesër dhe të dielën në oraret 10:30 dhe 18:00 në skenën e Teatrit të Kukullave. I konceptuar si një spektakël imersiv, produksioni sjell në skenë një histori të njohur për miqësinë, guximin dhe aventurën. Shfaqja është pjesë e një programi të zgjeruar me 20 performanca gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.