Sejko zhvillon takimin përmbyllës me misionin e FMN-së, në fokus ekonomia dhe stabiliteti financiar

Ekonomi | 4 minuta më parë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka zhvilluar takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Diego Cerdeiro, Shefi i Misionit për Shqipërinë, i cili qëndroi në Tiranë në datat 2–20 nëntor 2026.

Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare, ecuria e inflacionit dhe e kursit të këmbimit, si dhe situata e sistemit bankar dhe roli i tij në financimin e ekonomisë. Në fokus ishte gjithashtu perspektiva ekonomike e vendit dhe procesi i vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), në kuadër të programit të përbashkët të FMN-së dhe Bankës Botërore.

Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri, ndërsa konsumi, investimet dhe aktiviteti i shërbimeve mbeten faktorë mbështetës të rritjes. Megjithatë, ai theksoi se ruajtja e këtij ritmi në afatgjatë kërkon rritjen e produktivitetit, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe vijimin e reformave strukturore, duke shfrytëzuar edhe mundësitë që ofron procesi i integrimit evropian.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Sipas tyre, perspektiva ekonomike mbetet e favorshme, por pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar kërkojnë politika të kujdesshme dhe forcimin e kapaciteteve për përballimin e goditjeve të mundshme.

Sa i përket inflacionit, Sejko theksoi se politika monetare e Bankës së Shqipërisë mbetet e orientuar drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve. Misioni i FMN-së vlerësoi se kalimi gradual drejt një qëndrimi neutral të politikës monetare ishte i përshtatshëm, duke marrë në konsideratë pozicionin ciklik të ekonomisë.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte gjendja e sistemit bankar. Guvernatori u shpreh se sektori mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke krijuar mundësi për financimin e mëtejshëm të bizneseve dhe familjeve. Ai nënvizoi se rritja e kreditimit duhet të shoqërohet me ruajtjen e cilësisë së portofolit dhe vlerësimin e kujdesshëm të aftësisë paguese të huamarrësve.

Përfaqësuesit e FMN-së theksuan rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të rreziqeve që shoqërojnë zgjerimin e kredisë, si dhe rolin e mbikëqyrjes dhe masave makroprudenciale në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar. Ata mirëpritën ndryshimet e fundit në instrumentet e politikës makroprudenciale, të cilat, së bashku me masat e bazuara te huamarrësit, synojnë të rrisin rezistencën e sistemit financiar.

Në takim u diskutua edhe procesi i vlerësimit FSAP, të cilin Sejko e cilësoi si një mundësi për të vlerësuar përparimin e bërë dhe për të përcaktuar prioritetet e reformave të ardhshme. Misioni i FMN-së vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, profesionalizmin e stafit dhe angazhimin e institucionit në këtë proces.

Në përfundim, FMN-ja përshëndeti miratimin e ligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë institucionale dhe të bazës ligjore për përmbushjen e mandatit të bankës qendrore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme