“Jam Edi Rama, më duhen 1 milion euro në Tiranë”. Me këtë identitet të rremë, një 25-vjeçar dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një 54-vjeçari, pasi ishte prezantuar në platforma komunikimi online si funksionar publik.
Policia e Tiranës njofton se ka finalizuar operacionin e koduar “Request”, gjatë të cilit 25-vjeçari, me inicialet A. M., banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë teksa po merrte paratë.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas denoncimit të 54-vjeçarit, i cili dyshonte se po mashtrohej përmes përdorimit të identitetit të një funksionari publik në platforma online.
Arrestimi u krye pas veprimeve hetimore me metoda speciale nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast, si dhe në raste të tjera që mund të jenë kryer përmes të njëjtit mekanizëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.a.b




