Vjedhja e 700 mijë eurove / Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit kërkon ndryshim të masës së sigurisë

Kronike

Publikuar: 20/11/2026

Vjedhja e 700 mijë eurove / Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit kërkon ndryshim të masës së sigurisë

Ish-drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Durrësit, por kjo e fundit ka shpallur moskompetencën lëndore dhe ka vendosur t’i kalojë aktet Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Mataj është një prej personave të dyshuar për përfshirjen në vjedhjen e rreth 700 mijë eurove, fonde të destinuara për pagesën e pensioneve dhe ndihmën sociale.

Ndërkohë, hetimet e SPAK kanë marrë një drejtim të ri, pasi përveç veprës penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, dyshimet janë zgjeruar edhe për veprën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Në këtë dosje janë nën hetim edhe ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtarja Paola Dana. Materialet hetimore iu përcollën SPAK-ut nga Prokuroria e Durrësit, e cila shpalli moskompetencën për vijimin e çështjes.

Pas afro pesë muajsh hetime, prokurorët kanë ngritur dyshime se vjedhja mund të jetë kryer përmes një skeme të organizuar dhe të shtrirë në kohë. Sipas burimeve hetimore, shuma e përvetësuar mund të jetë më e madhe se 700 mijë eurot që rezultuan të munguara gjatë periudhës prill-maj 2026.

Në kuadër të zgjerimit të hetimeve, pritet të verifikohen edhe veprimet e kryera gjatë drejtimit të mëparshëm të filialit, përfshirë periudhën kur në krye të tij ishte Etleva Budini, aktualisht deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Dyshimet e hetuesve lidhen edhe me mënyrën se si janë përdorur shumat e përvetësuara. Sipas tyre, personat përgjegjës mund të kenë kryer manovra financiare, duke i hedhur paratë në qarkullim me synimin për të përfituar interesa.

Nga ana tjetër, avokatët e Elisabeta Matajt kanë deklaruar për A2 se nuk janë njoftuar zyrtarisht për vendimin e moskompetencës së Gjykatës së Durrësit. Ata kanë bërë të ditur se do të kërkojnë aktin përkatës gjatë një seance për informim mbi ecurinë e hetimeve, të planifikuar për të premten.

Aktualisht, Elisabeta Mataj, Valbona Duni dhe Paola Dana po hetohen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në ditët në vijim, ato pritet të dalin përpara Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masave të sigurisë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur përmasat e plotë të skemës së dyshuar dhe për të përcaktuar nëse shuma e parave të munguara është më e madhe se ajo e konstatuar fillimisht.