Berisha dhe hijet e përgjakjes, Frrok Çupi: Sa herë dështon, kërcënon! Nuk pranon as Shqipërinë në BE, as buxhetin 10 miliardë euro

Politikë

Publikuar: 20/11/2026

Berisha dhe hijet e përgjakjes, Frrok Çupi: Sa herë dështon, kërcënon! Nuk pranon as Shqipërinë në BE, as buxhetin 10 miliardë euro

Analisti Frrok Çupi ka rikthyer në vëmendje tensionet politike të vitit 1998 dhe kërcënimet që, sipas tij, shoqëruan procesin e referendumit për Kushtetutën, duke bërë një paralelizëm me zhvillimet aktuale politike.

Në një intervistë për “Ora e Fundit”, Çupi akuzon Sali Berishën se ka përdorur vazhdimisht gjuhën e kërcënimeve dhe të dhunës sa herë është përballur me dështime politike.

Ai paralajmëron për tensione të mundshme më 28 nëntor, duke iu referuar deklaratave të bëra në sheshin Skënderbej, ndërsa e cilëson retorikën e Berishës më shumë si një formë shantazhi politik dhe frikësimi të qytetarëve sesa si një kërcënim real për shpërthimin e një konflikti.

Sipas Çupit, Shqipëria është e garantuar dhe rruga e saj drejt Bashkimit Europian nuk mund të ndalet nga këto deklarata.

“Ka qenë një ditë dimri, ditë e ftohtë, por të gjithë qytetarët e Shqipërisë dolën në referendum. Por, që në fillim të nëntorit ishin hapur kërcënime që Shqipëria do të përgjakej dhe që njerëzit të mos dilnin në referendum. 93% e pjesëmarrësve votuan pro Kushtetutës. Kjo është PD me 6%, por ka mbjellë frikë. Berisha në krye të herës ka gjithmonë, sa herë dështon, kërcënon me armë, më gjak me zjarr. 

Kjo është historia e kësaj Kushtetute e cila më 28 nëntor të vitit 1998, u dekretua nga presidenti i republikës dhe është datë historike. Ndërsa këtë vit 28 nëntori do të jetë vërtet një datë historike, sepse Berisha do të vijë sërish me ushtrinë e tij për të gjakosur popullin. Sipas premtimeve që janë dhënë në sheshin Skënderbej. Kjo ndodh rëndomë dhe duhet të njohësh historinë e PD dhe Berishës, si një njeri që nuk akomodohet dot me atdheun e tij, nuk akomodohet dot me vendin.

Fizikisht ai nuk e njeh dhe nuk e pranon Shqipërinë. Berisha nuk pranon dot asnjë nga hapat që bën vendi. Sot nuk pranon dot që Shqipëria do të shkojë drejt Bashkimit Europian. Nuk pranon dot që sot buxheti i shtetit është në vlerën e 10 miliardë euro, që nuk e ka parë ëndërr. Berisha nuk e pranon dot atë që bëhet dhe ngaqë është i dështuar del e kërcënon. Është më shumë një shantazh që u bën njerëzve të tij se sa do të ndezë luftë më. Shqipëria është e garantuar”, tha Çupi.