E qëlloi me armë disa herë - një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e rëndë në një parking në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, Gjyqtari i procedurë paraprake Ilir Rashkaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datë 18.12.2026 për të pandehurit Rr.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë, (privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë) dhe (privon nga jeta personin tjetër dhe më parë ka qenë i dënuar për vrasje) , dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03 min , në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. I pandehuri Rr.H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve, me dashje ka privuar nga jeta viktimën S.D., si dhe me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ishin prezente në momentin e ngjarjes.
"I pandehuri duke përdorur armën e zjarrit të llojit 'Sig Sauer', ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të shtjerë në drejtim të tij, edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e plagëve të marra, viktima, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në QKMF në Suharekë, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga ana e mjekëve është konstatuar vdekja e tij", thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim, pas kryerjes së veprës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
"Gjatë kontrollit të automjetit të të pandehurit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës penale, së bashku me dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa, gjatë kontrollit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 47 fishekë të tjerë".
Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.
"Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura paraprake hetimore është në fazën fillestare, dhe i pandehuri pas momentin kritik është arratisur nga vendi i ngjarjes derisa është lokalizuar dhe arrestuar nga hetuesit policor, dhe me lënien në masa tjera ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. Për Gjykatën është i bazuar dhe e qëndrueshme masa e paraburgimit në këtë fazë, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, i cili për shkak të një mosmarrëveshje , në një vend publik të frekuentuar nga shumë njerëz, me gjak ftohësi shtien me armë disa herë në drejtim të viktimës, duke vënë në përdorim armën për të cilën ka poseduar leje për shenjtari, por e përdor në kundërshtim me Ligjin", thuhet në njoftim.
Gjykata ka vlerësuar pretendimet e palëve në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, por duke marrë parasysh peshën e veprave penale për të cilat dyshohen i pandehuri, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer këto vepra penale, në rastin konkret vetëm me masën e paraburgimit, do të sigurohet prezenca e të pandehurit në këtë fazë të procedurës, dhe do të sigurohet mbarëvajtja e procedurës paraprake e papenguar. /Telegrafi/


































