
Autoritetet polake kanë identifikuar tre zona ku kanë rënë objekte fluturuese pas sulmit masiv rus ndaj Ukrainës gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes. Mes tyre janë dy raketa ruse në Poloni dhe, sipas vlerësimeve paraprake, një dron me motor reaktiv. Lajmin e konfirmoi ministri polak i Mbrojtjes Kombëtare, Władysław Kosiniak-Kamysz, në një konferencë për mediat të premten.
Sipas tij, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ishte ndër më të mëdhenjtë që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022. Ai u shoqërua edhe me shkelje të hapësirës ajrore polake. Ministri dha detaje për secilën nga tre pikat ku kanë rënë objektet.
Në zonën e Nowy Lipowiec, në rajonin e Lublinit, autoritetet kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një raketë të tipit Kh-101. Bëhet fjalë për një raketë ruse lundruese me rreze të gjatë veprimi, e përdorur nga forcat e armatosura ruse për sulme ndaj objektivave në Ukrainë. Në pikën e dytë është gjetur një tjetër raketë.
Në të tretën, sipas Kosiniak-Kamysz, ka shumë gjasa të bëhet fjalë për një mjet ajror pa pilot me motor reaktiv. “Janë tre pika ku kanë rënë objektet. Në Nowy Lipowiec mund të themi tashmë se bëhet fjalë për një raketë Kh-101.
Në pikën e dytë flasim gjithashtu për një raketë, ndërsa në të tretën ka shumë gjasa të bëhet fjalë për një mjet ajror pa pilot me motor reaktiv”, deklaroi ministri. Autoritetet polake vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta në të cilat objektet kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit dhe kanë përfunduar në territorin e tij.
Sipas raportimeve të publikuara nga mediat dhe llogaritë që ndjekin zhvillimet e sigurisë, një shpërthim është regjistruar rreth orës 06:35 pranë Chmielek, në qarkun Biłgoraj, në lindje të Polonisë. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një shkëndijë të fortë dhe më pas një shpërthim.
Një objekt fluturues ka rënë në një fushë pranë Nowy Lipowiec mëngjesin e së premtes dhe ka marrë flakë pas përplasjes me tokën. Sipas informacioneve të raportuara nga autoritetet, nuk ka pasur persona të lënduar. ## Ministri ukrainas: agresioni rus kërcënon të gjithë Evropën Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe të NATO-s një tjetër dëshmi se kërcënimi rus nuk kufizohet vetëm brenda territorit ukrainas.
Në një reagim në platformën X, ai shkroi se një tjetër shkelje e hapësirës ajrore polake, si pasojë e agresionit rus në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, tregon rrezikun që ky agresion paraqet për të gjithë Evropën dhe komunitetin transatlantik. Sybiha vuri në dukje kontrastin mes deklaratave të Moskës për një arkitekturë të re sigurie në Evropë dhe sulmeve të vazhdueshme me raketa e dronë.
“Ndërsa Moska përpiqet të nisë një diskutim për një ‘arkitekturë të re sigurie në Evropë’, raketat dhe dronët rusë po vënë drejtpërdrejt në pikëpyetje rendin ekzistues të sigurisë në Evropë. Hapi i parë për forcimin e tij do të ishte ndalimi i sulmeve të tilla”, deklaroi ministri ukrainas.
Ai theksoi se Ukraina përbën vijën e parë të mbrojtjes së Evropës dhe se forcimi i kapaciteteve të saj mbrojtëse ndihmon drejtpërdrejt në garantimin e sigurisë së qytetarëve të vendeve aleate. Sipas Sybihës, mbështetja për Kievin nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e Ukrainës, por përbën edhe një investim në sigurinë e përgjithshme evropiane.
Në këtë drejtim, ai identifikoi tri prioritete: rritjen e presionit ndaj Rusisë, forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes ajrore ukrainase dhe vijimin e përpjekjeve për arritjen e paqes. Ministri i Jashtëm ukrainas shprehu gjithashtu solidaritetin e vendit të tij me Poloninë. Sipas tij, të dyja palët po bashkëpunojnë për hetimin e incidentit dhe parandimin e kërcënimeve të ngjashme në të ardhmen. ## Tetë viktima në Ukrainë, mbi 100 raketa dhe rreth 400 dronë Sulmi rus gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes ishte masiv.
Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia përdori më shumë se 100 raketa dhe rreth 400 mjete ajrore pa pilot, mes tyre rreth 120 dronë me motorë reaktivë, të cilët funksionojnë në praktikë si raketa të vogla lundruese. Nga sulmet humbën jetën të paktën tetë persona, ndërsa 28 të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmi zgjati më shumë se tetë orë. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi përmes platformës Telegram se kishte realizuar një “goditje masive me armë me precizion të lartë nga toka, deti dhe ajri”, si dhe me mjete ajrore pa pilot. Sipas Moskës, objektivat ishin instalimet ushtarake dhe energjetike ukrainase, infrastruktura portuale në rajonin e Odesës dhe infrastruktura e transportit në Kiev.
Autoritetet ukrainase raportuan se mes objektivave të goditura ishte edhe një spital në Kharkiv, si dhe banesa në rajonet Dnipropetrovsk, Lviv, Vinnytsia, Sumy dhe Chernihiv. Dëme të konsiderueshme u regjistruan edhe në kryeqytetin Kiev, ku u goditën tri ura që lidhin dy brigjet e lumit Dniepër, duke shkaktuar probleme të mëdha në qarkullim.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se shërbimet përgjegjëse ishin angazhuar për përballimin e pasojave të sulmit. “Të gjitha shërbimet e emergjencës kanë bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të kufizuar sa më shpejt pasojat e sulmit”, deklaroi ai.
Goditjet ruse shkaktuan gjithashtu ndërprerje të gjera të energjisë elektrike në disa rajone të Ukrainës, në një kohë kur temperaturat kanë filluar të zbresin nën zero. Sulmi erdhi pas kërcënimeve të mëparshme të presidentit rus Vladimir Putin për kundërpërgjigje të ashpër ndaj goditjeve ukrainase në urën strategjike të Krimesë, një projekt me vlerë miliarda dollarë që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar.
“Nuk do të ketë negociata”, kishte paralajmëruar presidenti rus, duke shtuar se përgjigjja e Moskës do të ishte shumë më e dhimbshme sesa goditja e kryer nga regjimi i Kievit ndaj urës. Sulmi u shënua vetëm pak orë pas takimit trepalësh mes Putin, presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tyre kinez Xi Jinping në Shenzhen.
Takimi ishte shoqëruar me pritshmëri për përparim në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por bisedimet nuk prodhuan rezultate konkrete në këtë drejtim. Putin e cilësoi takimin historik, duke deklaruar se bisedimet ishin zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe miqësore.
Sipas tij, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kishin interesa të përbashkëta për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Megjithatë, nuk u publikua asnjë deklaratë zyrtare me rezultate konkrete të bisedimeve. Pas takimit, Trump kontaktoi drejtuesit e të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, të cilët po zhvillonin një takim në Berlin, ku merrnin pjesë edhe të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Sipas një zyrtari të lartë evropian, i cili ishte në dijeni të bisedës, mesazhi kryesor i Trump ishte se “Putini është i lodhur, dëshiron t’i japë fund kësaj lufte dhe është gati për një marrëveshje”. Presidenti amerikan, sipas të njëjtit burim, u bëri thirrje liderëve evropianë të shfrytëzonin mundësinë për arritjen e paqes.
Udhëheqësit evropianë reaguan në mënyrë konstruktive, por kërkuan prova konkrete se Moska ishte vërtet e gatshme për një marrëveshje. Nga ana e tij, Jared Kushner deklaroi se Trump u kishte përcjellë si Putinit, ashtu edhe Xi Jinpingut, një mesazh të fortë për dëshirën e tij për arritjen e paqes dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar intensivisht me të dy liderët.
