Kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, Petro Gjikuria, është paraqitur sot në SPAK ku ka ritheksuar kallëzimin ndaj Vangjel Tavos për shkelje të pretenduara ligjore.
Gjikuria pretendon se Tavo ka kryer vepër penale dhe krim elektoral, pasi ka përfituar njëkohësisht dy paga, atë si prefekt dhe atë si kryebashkiak i Himarës.
Sipas kandidatit demokrat, përfitimi i dy pagave në të njëjtën kohë përbën shkelje ligjore, për të cilën ai ka kërkuar hetimin e përgjegjësive përkatëse nga SPAK.
I pyetur për rikandidimin në zgjedhjet e pjesshme në Himarë, të parashikuara për 9 maj, Gjikuria u shpreh se opozita do të përfaqësohet me kandidatin më të mirë.













