Sulmet ruse në Kiev vrasin të paktën 8 persona, dëmtojnë ura
Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa balistike ndaj Kievit dhe rajoneve të tjera të Ukrainës, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas.
“Raketat goditën infrastrukturën jetike në kryeqytet, përfshirë urat. U dëmtuan një objekt i sistemit të kullimit të ujërave, ndërtesa dhe objekte afariste. Gjashtë persona humbën jetën nga sulmi në Kiev. 15 të tjerë u plagosën”, tha kryeministri ukrainas, Serhiy Koretskiy, më 20 nëntor.
Ai shtoi se gjithsej tetë persona u vranë nga sulmet në Ukrainë dhe 28 të tjerë u plagosën. Dy persona u vranë nga sulmet ruse në rajonin perëndimor të Lvivit, njoftoi administratori i këtij rajoni.
Koretskiy tha se në Harkiv, në lindje të vendit, ishte goditur një spital i urgjencës, ku katër persona u plagosën dhe u dëmtua një objekt ku kryhen rezonanca magnetike (MRI).
“U dëmtuan ndërmarrje në rajonet e Kievit, Mikolaivit, Odesës dhe Çernihivit, si dhe ndërtesa banimi në rajonet e Dnipropetrovskut, Lvivit, Vinitsës, Sumit dhe Çernihivit. U goditën edhe objekte energjetike”, tha ai.
Më herët, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se shtatë nga personat e plagosur në kryeqytet ishin dërguar në spital. Të plagosurve të tjerë po u jepej ndihma mjekësore në vendin e ngjarjes.
“Si pasojë e sulmit balistik ndaj kryeqytetit, është dëmtuar ura e Podilit. Qarkullimi nga bregu i djathtë në atë të majtë të lumit është aktualisht i bllokuar. Është dëmtuar edhe ura e Darnitskit”, shkroi Klitschko në Telegram më 20 nëntor.
Ai tha gjithashtu se ura Jugore, e cila ishte shënjestruar edhe më parë nga sulmet ruse, u godit sërish, por nuk specifikoi nëse kishte pësuar dëme.
“Si pasojë e goditjeve është dëmtuar edhe një objekt i infrastrukturës jetike”, shtoi ai më vonë, pa dhënë hollësi të tjera.
Pas sulmit, disa pjesë të Kievit mbetën pa energji elektrike. Kompania energjetike DTEK njoftoi se në gjithë kryeqytetin po zbatoheshin ndërprerje emergjente të rrymës.
“Sulmi masiv ndaj kryeqytetit po vazhdon. Banorëve u bëhet thirrje të qëndrojnë në strehimore deri në njoftimin për përfundimin e rrezikut”, tha Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit në mëngjesin e 20 nëntorit.
“Duke pasur parasysh pasojat e sulmeve të armikut, veçanërisht dëmtimin e infrastrukturës së transportit dhe logjistikës, banorëve të Kievit u bëhet thirrje ta kufizojnë lëvizjen me automjete private nëpër qytet, për të lehtësuar pastrimin e zonave të goditura dhe ndërhyrjen e ekipeve emergjente”, thuhej në njoftim.
Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për praninë e dronëve rusë mbi disa rajone të vendit dhe raportuan lëshimin e raketave, përfshirë në drejtim të Ukrainës perëndimore.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se kishte kryer sulmet, duke pretenduar se kishte shënjestruar objekte të industrisë ushtarake ukrainase, kapacitete për prodhimin e raketave dhe dronëve, depo të tyre, si dhe infrastrukturën energjetike dhe të transportit në Kiev dhe në gjashtë rajone të tjera. Ministria nuk paraqiti menjëherë prova për të mbështetur pretendimet e saj.
Rusia e ka mohuar vazhdimisht se shënjestron qëllimisht civilët ose infrastrukturën civile, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën.
Sulmet ndaj Kievit vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua për sulme “shumë më të dhimbshme”, pas sulmit të Ukrainës në Urën e Krimesë në fillim të kësaj jave. Nga ky sulm u shkatërrua e vetmja lidhje e drejtpërdrejtë rrugore mes Rusisë dhe gadishullit ukrainas të Krimesë, në Detin e Zi, të cilin Moska e pushtoi në vitin 2014.
Përveç rëndësisë strategjike, ura ka shërbyer edhe si simbol i kontrollit të Moskës mbi Krimenë, një rajon të cilit Putini është përpjekur t’i japë një rëndësi mitike, thuajse fetare, për Rusinë.
Sulmi me dronë dhe raketa balistike ruse ndaj Kievit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës vjen gjithashtu një ditë pas një takimi historik mes presidentit amerikan, Donald Trump, liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen.
Dy raketa dhe një dron bien në Poloni pas sulmit masiv rus ndaj Ukrainës
Nëndetësja bërthamore britanike thyen rekordin, 217 ditë nën ujë, ekspertët ngrenë alarmin
Irani i përgjigjet akuzave të Trump për armët biologjike dhe kimike: SHBA po përsërit skenarin e Irakut të vitit 2003
- 12:32 Sejko takim përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar: Ekonomia shqiptare po tregon qëndrueshmëri
- 12:25 Arrestohet i riu në Tiranë, dyshohet se kanosi 31-vjeçarin për 600 mijë lekë
- 12:13 Dy raketa dhe një dron bien në Poloni pas sulmit masiv rus ndaj Ukrainës
- 11:49 “Jam Edi Rama”, 25-vjeçari mashtron ndërtuesin dhe i kërkon 1 milion euro (EMRI)
- 11:42 Shqipëria me sisteme antiraketore dhe anije, zv.ministrja e Mbrojtjes: Mund të godasim dronët dhe raketat
- 11:38 U plagos në sy gjatë protestës, Erjon Vishkulli thirret për të dëshmuar në Prokurori