Tryezat e shqiptarëve mund të mos shtrohen më vetëm me mish derri, shpendësh apo gjedhësh. Në të ardhmen, konsumatorët duhet të përgatiten edhe për një kategori të re ushqimesh: mishin sintetik, i cili nuk përftohet përmes therjes së kafshëve, por nga kultivimi i qelizave të tyre në laborator.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për ushqimin”, i cili përfshin në kategorinë e ushqimeve të reja edhe produktet e prodhuara nga kultura qelizore ose indore. Kjo nismë ligjore mund t’i hapë rrugën në të ardhmen importimit dhe tregtimit të mishit të kultivuar në laborator edhe në Shqipëri. Por kjo formë e re e industrisë mund të vendosë në rrezik blegtorinë, pasi mishi sintetik do t’i joshë konsumatorët e saj jo më cilësinë por çmimin.
Mishi i kultivuar në laborator prodhohet duke marrë qeliza nga kafshët dhe duke i shumuar ato në një mjedis të kontrolluar, ky mish nuk ka nevojë për stabiliment me gjë të gjallë, por vendi i tij i prodhimit është laboratori. Kjo formë e re tregtie sipas ekspertit të sigurisë ushqimore, Ervin Resuli vë në pikëpyetje cilësinë e produktit sintetik.
Nëse ky projektligj merr kartonin jeshil në kuvend, atëherë Shqipëria duhet të nxitojë që më 1 gusht të 2027 të ketë përgatitur ligjin për ushqimet e reja. Ndërkohë që ligjet përgatiten, qytetarët duket se nuk janë gati për këtë formë të re ushqimi.
Ndërkohë që në vendin tonë diskutimi për tregtimin e mishit sintetik sapo ka nisur, Itali është i pari shtet në Europë që në vitin 2023 refuzoi prodhimin dhe shitjen e mishit të kultivuar në laborator.


