
Shorti i çerekfinaleve të UEFA Nations League ka rezervuar përballje interesante mes disa prej kombëtareve më të forta të Europës. Vëmendjen kryesore e tërheq dueli mes Spanjës dhe Francës, ndërsa një tjetër përballje që pritet me interes është ajo mes Anglisë dhe Norvegjisë.
Shorti ka përcaktuar gjithashtu përballjen Holandë-Portugali, ndërsa Belgjika do të masë forcat me Gjermaninë. Katër çiftet do të luftojnë për një vend në gjysmëfinale dhe mundësinë për të fituar trofeun e Nations League.
Rrugëtimi drejt finales është përcaktuar gjithashtu. Fituesi i çiftit Holandë-Portugali do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e Spanjë-Francë. Në krahun tjetër, fituesit e Belgjikë-Gjermani dhe Norvegji-Angli do të diskutojnë biletën për finalen e madhe.
Ndeshjet e para çerekfinale janë parashikuar të zhvillohen më 25-27 mars 2027, ndërsa takimet e kthimit do të luhen nga 28 deri më 30 mars.
Ndërkohë, gjysmëfinalet do të zhvillohen në një fushë neutrale, më 9 dhe 10 qershor 2027. Finalja e madhe është programuar për 13 qershor, datë kur do të mësohet edhe fituesi i edicionit të radhës të këtij kompeticioni.
Çiftet e çerekfinaleve:
Belgjikë – Gjermani
Norvegji – Angli
Holandë – Portugali
Spanjë – Francë
