
Për kontributin e tij në prozën dhe letërsinë shqipe, si dhe në promovimin e vlerave krijuese, Universiteti Europian i Tiranës (UET), me propozim të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, nderoi shkrimtarin Ben Blushi me Certifikatë Mirënjohjeje.
Ky është vlerësimi i dytë më i rëndësishëm që jep universiteti, pas titullit “Doktor Honoris Causa”, për të nderuar figura të shquara të politikës, ekonomisë, shkencave humane dhe letërsisë, puna e të cilëve ka lënë gjurmë në shoqëri.
Propozimi për këtë vlerësim erdhi nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Dekania, Prof. Dr. Belina Budini, lexoi motivacionin e certifikatës: “Për kontributin pionier në prozë e eseistikë shqipe, finesën stilistike dhe promovimin e vlerave krijuese, që mishërojnë frymën e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale”.
Në fjalën e saj, Budini evidentoi lidhjen organike të krijimtarisë së Blushit me profilin akademik dhe artistik të Fakultetit, duke veçuar përmasën multimediale të autorësisë së tij, ndërthurjen e letërsisë me publicistikën dhe fotografinë, si dhe aftësinë për të nxitur debate intelektuale dhe për të krijuar audienca që nuk mbeten indiferente ndaj veprës së tij.
Nga “Të jetosh në ishull”, libri i parë që e prezantoi si shkrimtar në vitin 2008, deri te “Historitë e çmendura të Tiranës”, i botuar së fundmi, Ben Blushi ka ndërtuar një krijimtari të pasur letrare, me dhjetëra tituj, personazhe dhe histori, përgjatë një karriere gati 20-vjeçare. Romanet e tij eksplorojnë tema historike, politike dhe sociale, deri te pasioni i tij i fundit për atë që ai vetë e quan fantashkencë historike.
Sipas Blushit, ajo që e dallon shkrimtarin nga historiani është liria krijuese për të rrëfyer ngjarje që lidhen me të vërtetën historike, por që transformohen përmes imagjinatës, duke u pasuruar me veprime dhe biseda që nuk kanë ndodhur kurrë.
Gazetar dhe drejtues i shtypit në fillimet e karrierës së tij, Blushi u angazhua më pas në politikë, ku ushtroi funksione të rëndësishme shtetërore dhe themeloi partinë e tij. Krahas angazhimit në drejtimin e disa prej televizioneve të rëndësishme në Shqipëri, prej afro dy dekadash ai ka vijuar të jetë i lidhur ngushtë me letërsinë. Blushi ka ndjekur kështu traditën familjare në fushën e letrave shqipe, duke iu përgjigjur, siç shprehet, “thirrjes së të parëve”.
Presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, i cili e ka njohur Blushin fillimisht si deputet dhe më pas si autor, e cilësoi privilegj nderimin e një personaliteti të tillë të jetës politike dhe letrare. Ai u shpreh se politika humbi një personalitet, i cili u kthye në një vlerë për letërsinë, ku Blushi spikati si fenomen.
“Personalisht jam admirues dhe lexues i veprave të tij. ‘Të jetosh në ishull’ për mua ka qenë ndoshta libri më interesant”, theksoi Xhepa.
Duke iu referuar librit të fundit, presidenti i UET-së tha se ndonjëherë qytetet njihen më mirë përmes letërsisë sesa historisë, ashtu siç Stambolli u bë më i njohur përmes librit të Orhan Pamuk.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Blushi iu përgjigj pyetjeve për librin e tij të fundit, “Historitë e çmendura të Tiranës”, 100 personalitetet e përfshira në të, burimet e frymëzimit dhe arsyet pse zgjodhi të shkruante për figura të caktuara, duke lënë jashtë të tjera.
“Dy kanë qenë kriteret kryesore”, theksoi autori. “Të jenë të çmendur dhe të vdekur”.
Duke kujtuar vitet ’80, kur ishte student, Blushi tha se më shumë se gjysma e studentëve në auditor dëshironin të bëheshin shkrimtarë. Ndërsa sot, sipas tij, kjo prirje është zbehur, pasi të rinjtë orientohen drejt profesioneve që ecin paralelisht me zhvillimet e kohës, inovacionin dhe teknologjinë.
“Ky lloj zanati sikur po avullon. Bota ka ndryshuar shumë shpejt dhe disa zeje që merren me shpirtin nuk kanë më aq shumë hapësirë. Shpirti është i padukshëm, nuk del në rrjetet sociale”, u shpreh Blushi.
Sipas tij, shkrimtarët sot nuk kanë më peshën që kishin dikur, kur bota ishte më pak e ndikuar nga teknologjia. Edhe pse statistikat tregojnë rritje të numrit të lexuesve dhe të botimeve, roli i shkrimtarit në shoqëri është zbehur. Vëmendjen dhe hapësirën publike, përfshirë edhe atë virtuale, tashmë e kanë zënë influencerat.
“Në 200 vjet, numri i botimeve është rritur 200-fish. Kjo ka ardhur si pasojë e përhapjes së edukimit, ndikimit të universiteteve dhe uljes së analfabetizmit. Por, pavarësisht se ka më shumë lexues, shkrimtarët kanë më pak pushtet dhe janë shumë larg kolosëve dhe klasikëve të dikurshëm të letërsisë”, u shpreh Blushi.
Megjithatë, ai u shpreh optimist se bota do të ketë gjithmonë nevojë për shkrimtarë.
