Tiranë/ Muzika me zë të lartë shqetësoi banorët në “Komunën e Parisit”, procedohen 2 administratorët e lokalit

Dy administratorë të një lokali në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë janë proceduar penalisht, pas ankesave të banorëve për muzikën me volum të lartë që prishte qetësinë publike.
Pas shqetësimeve të përsëritura të qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë kryer kontrolle në subjektin e sinjalizuar, ku kanë konstatuar shkeljet.
Në vijim, janë proceduar në gjendje të lirë dy administratorët, shtetasit K. H. dhe J. B., të dy 39 vjeç dhe banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar bokse, impiantin muzikor dhe aksesorët përkatës, që përdoreshin për gjenerimin e muzikës.
Policia e Tiranës njofton se kontrollet dhe verifikimet për respektimin e qetësisë publike do të vijojnë në të gjithë kryeqytetin.




