Partia Demokratike ngre shqetësime për mënyrën se si janë administruar fondet e rindërtimit, shtatë vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019.
Përmes një deklarate për mediat, përfaqësuesja e PD-së, Genta Vangjeli, ka kërkuar llogaridhënie nga qeveria për miliardat e akorduara, nivelin e ulët të realizimit të investimeve dhe familjet që vijojnë të mos kenë zgjidhje përfundimtare për strehimin.
Duke iu referuar dokumenteve të Ministrisë së Financave dhe raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Vangjeli thekson se procesi i rindërtimit vijon të kërkojë financime shtesë edhe pas shtatë vitesh. Sipas saj, vetëm gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë miratuar fonde të tjera për banesa individuale në Durrës, Kamëz, Mirditë, Shijak, Krujë dhe Vorë.
Një tjetër shqetësim lidhet me realizimin e fondeve. Sipas të dhënave të cituara nga Vangjeli, për periudhën janar-gusht 2026 janë shpenzuar vetëm 977 milionë lekë nga rreth 6.6 miliardë lekë fonde të disponueshme, duke shënuar një realizim prej vetëm 14.8% në nivel kombëtar.
PD sjell në vëmendje edhe të dhënat e KLSH-së, sipas të cilave deri në fund të vitit 2023 projektet e miratuara të rindërtimit kapnin vlerën 120.7 miliardë lekë, ndërsa financimi faktik ishte 91.3 miliardë lekë. Diferenca prej rreth 29.4 miliardë lekësh mbetej ende për t’u siguruar.
Vangjeli ngre më tej pikëpyetje për administrimin e bonusit të qirasë, shpërndarjen e fondeve për banesat dhe mungesën e transparencës nga disa bashki. Ajo thekson se në disa raste familje me banesa të pabanueshme nuk kanë përfituar mbështetjen e nevojshme për strehim.
“Kryeministri duhet të dalë para shqiptarëve dhe të tregojë:
Ku kanë shkuar miliardat e shpenzuara dhe pse realizimi faktik i fondeve mbetet kaq i ulët? Sa banesa janë përfunduar dhe dorëzuar realisht në çdo bashki deri sot? Pse janë ndërprerë bonuset e qirasë për familje që ende nuk kanë zgjidhje strehimi? Ku kanë përfunduar fondet e papërdorura dhe kush mban përgjegjësi për mosrealizimin e tyre?
Nëse pengesa e rindërtimit është vetëm mungesa e një kryetari bashkie, kush e shpjegon realizimin prej vetëm 14.8% të Fondit të Rindërtimit në nivel kombëtar? Faji i kujt është që një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe të rindërtimit nuk është vënë në lëvizje? Shtatë vite pas tërmetit, shqiptarët janë lodhur me justifikime. Qeveria jo vetëm që duhet të japë llogari, por të mbajë përgjegjësi për fondet e miratuara, institucionet që i kanë administruar dhe banesat që u janë premtuar qytetarëve”,- shprehet Vangjeli ndër të tjera.














