Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një letër ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga IEVP Fier, ku i kërkon miratimin për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Në letër, Veliaj pretendon se prej një muaji mbahet në izolim në burgun e Fierit, ndërsa ka një këmbë të thyer dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale. Ai shkruan se kërkesat e përsëritura drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve nuk kanë marrë përgjigje.
Në vijim, Veliaj përdor një gjuhë ironike ndaj kryeministrit, duke iu referuar asaj që, sipas tij, dëgjon nga personat në burg: “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe “hallin tënd e zgjidh veç Bela”.
Duke iu drejtuar Ballukut, ai kërkon që të miratohet kryerja e operacionit në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Në fund të letrës, Veliaj e nënshkruan reagimin me shprehjen ironike “Socialisti me duar të lidhura”, duke iu referuar një deklarate të kryeministrit Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste.
